Ekipi i basketbollit të meshkujve ka fituar një tjetër ndeshje në kampionat duke u rikonfirmuar edhe njëherë tjetër si një nga ekipet pretendente për titullin kampion këtë sezon. Ai ka luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndaj ekipit të Shoqatës Tirana dhe ka fituar me rezultatin 85-75. Ka qenë një ndeshje e bukur, e cila solli në shkallët e pallatit të sportit shumë sportdashës. Ka rënë në sy mbështetja shumë e fuqishme e grupimit të tifozëve “Vllaznit Ultras” gjatë gjithë ndeshjes. Takimi konsiderohej i vështirë pasi në rradhët e ekipit të Shoqatës Tirana ditët e fundit kanë ardhur edhe dy basketbollistë të huaj, dy serbët Patkoviç e Milotoçiç si dhe një basketbollist amerikan.

Nga ana tjetër, edhe Vllaznia është forcuar ditët e fundit. Përveç serbit Nikolla Kovaç dhe maqedonasit Markovski, ditët e fundit me skuadrën është bashkuar edhe malazezi Zharko Dragiçeviç. Megjithatë në ndeshjen e sotme serbi Kovaç ka luajtur shumë pak sepse është dëmtuar në sy një ditë më parë në stërvitje. Ndeshja nuk nis mirë për Vllazninë e cila nuk del në lojën e saj dhe perioda e parë fitohet nga tiranasit 24-14. Në të dytën loja e vendasve rritet dhe në minutën e 14-të rezultati do barazohej për herë të parë 30-30 dhe që nga ky moment është Vllaznia që do udhëheq deri në fund. Perioda e dytë fitohet nga Vllaznia 26-10 dhe po ashtu edhe e treta 24-18. Në këtë mënyrë, epërsia vjen duke u rritur madje shkon deri në 19 diferenca ndërkohë që në fund do të fiksohej rezultati 85-75 për Vllazninë e cila me këtë fitore ngjitet në vendin e dytë në renditje dhe konfirmohet edhe njëherë si një nga skuadrat pretendente për titull këtë sezon.
www.shkodrasport.com

Ekipi i Vllaznise gjate nje pushimi ne ndeshjen e sotme me Shoqaten Tirana