Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po përgatitet për duelin e radhës ndaj Elbasanit, një sfidë ku skuadra shkodrane mund të paraqitet me disa ndryshime në formacion. Pas ndeshjes së fundit ndaj Skënderbeut, trajneri Csaba Laszlo ka nisur të vlerësojë alternativat që ka në dispozicion, me synimin për të gjetur përbërjen më të mirë përballë verdhebluve.
Në sfidën e fundit në Korçë, nga stoli u aktivizuan edhe Herald Marku dhe Aris Ara. Dy futbollistët patën mundësinë të kontribuonin në pjesën e dytë, duke dhënë sinjale pozitive dhe duke treguar se mund të jenë alternativa të vlefshme për skuadrën kuqeblu.
Pikërisht kjo paraqitje mund t’i vendosë të dy në garë për një vend në formacionin titullar ndaj Elbasanit. Marku dhe Ara janë dy emra që mund të marrin vëmendjen e trajnerit dhe stafit teknik, të cilët po shqyrtojnë mundësinë për të bërë ndërhyrje në 11-she.
Megjithatë, një element që duhet marrë në konsideratë është edhe ruajtja e balancës së skuadrës, veçanërisht për sa i përket detyrimit për aktivizimin e një futbollisti që plotëson kriterin e moshës, ashtu siç parashikohet në rregulloren e kampionatit. Kjo mund të ndikojë edhe në zgjedhjet që do të bëjë tekniku hungarez.
Ndërkohë, një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet repartit të mbrojtjes, ku nuk përjashtohen ndryshime në emrat që do të nisin nga minuta e parë. Pas paraqitjeve të fundit, Laszlo mund të provojë një konfigurim të ri, duke kërkuar më shumë siguri dhe ekuilibër në prapavijë.
Përballja me Elbasanin mund të jetë kështu një tjetër mundësi për të parë një Vllazni me ndryshime në përbërje. Marku dhe Ara janë dy prej alternativave që mund të fitojnë më shumë hapësira, ndërsa vendimet përfundimtare të stafit teknik do të përcaktojnë nëse do ta nisin këtë takim nga minuta e parë.


