Vllaznia është mundur me rezultatin 2-3 pasditen e sotme nga Kastrioti. Në Krujë është zhvilluar një ndeshje dramatike, me gola në të dyja portat respektive, me luftë të fortë sportive, me kartonë të verdhë dhe një të kuq. Këtë të fundit e ka marrë portieri Vujadinovic, afër fundit të lojës, për protesta ndaj kryesorit Ervis Peza. Në këtë mënyrë, kosovari Rexha, pasi ka shënuar golin e parë për të tijtë në “kala”, ka bërë edhe portierin në fundin e kësaj transferte. Krutanët kanë shënuar fillimisht me anë të francezit Fataki, duke shfrytëzuar njëfarë hutimi të mbrojtjes shkodrane, ndërsa me epërsinë minimale janë mbyllur 45 minutat e para. Pjesa e dytë nis mjaft mirë për Vllazninë, që arrin të barazojë në minutën e 49-të me Kastriot Rexhën, heroin e sfidës pararendëse me Flamurtarin, por nuk falin të besuarit e Dallakut, që ushtrojnë presion të madh në gjysmëfushën e kundërshtarit. Falë kësaj strategjie loje, por edhe të ndihmuar nga tifozët krutanë, vendësit arrijnë të kalojnë për herë të dytë në epërsi, me Turdiun, ndërsa do të kishte sërish ekuilibër rezultativ në minutën e 83-të. Rumuni Dragoi, një ish-futbollist i krutanëve, ka barazuar rezultatin në 2-2, duke dhënë përshtypjen se po mbyllej në barazim kjo sfidë, por Turdiu ka menduar të shënojë sërish për të tijtë, katër minuta para fundit të lojës, duke komptetuar dopietën personale dhe vulosur suksesin e Kastriotit pas tri humbjesh radhazi. Vllaznia luajti në këtë transfertë pa Beqirin dhe mesfushorin Nallbani. Vendin e kapitenit e kishte zënë shtatlarti Kraja, në mbrojtjen kuqeblu, ndërsa vendësit ishin të plotë e pa mungesa në formacion. Shkodranët bënë atë përmbysje heroike para një jave me Flamurtarin, por pak gjëra kanë ndryshuar në situatën kritike në klub, ku Shpëtim Duro është më i rrezikuari. Megjithatë, ajo që mbetet është padyshim pozicionimi i Vllaznisë në renditje. Me 17 pikë në 13 ndeshje kampionat, sigurisht që nuk është një mbyllje e denjë e fazës së parë teksa në varësi të rezultateve të nesërme të Flamurtarit dhe Besës, skuadra shkodrane mund ta mbyllë fazën e parë në vendin e nëntë në renditje.
www.shkodrasport.com