Vllaznia në basketboll për meshkuj ka pësuar humbjen e rradhës në Ligën Ballkanike. Ndeshjen e rradhës ajo e ka luajtur pasditen e së mërkurës në Tivar të Malit të Zi ndaj Mornarit vendas. Në fund të saj është fiksuar rezultati 79 me 48 për basketbollistët malazezë. Në fakt ka qenë një humbje e pritshme për shkodranët të cilët kanë luajtur në këtë takim me katër mungesa në krahasim me ndeshjet e mëparshme të këtij kompeticioni.

Kjo ngaqë janë larguar tre basketbollistët e huaj Sarajlija, Gavraniç e Pajoviç ndërkohë që shkodrani Llazani ka qenë i dëmtuar. Takimi ka nisur më mirë për vendasit që kanë fituar periodën e parë 21 me 8 dhe kjo epërsi në fakt u ruajt edhe në të dytën që është mbyllur 16 me 15 po për Mornarin. Dy periodat e tjera kanë dhuruar rezultatet 17 me 13 dhe 25 me 12 po për ta dhe në këtë mënyrë krejt ndeshja është fituar nga ekipi malazez me 31 pikë diferencë. Kjo ka qenë ndeshja e gjashtë e Vllaznisë në këtë Ligë teksa ka arritur të pësojë humbjen e gjashtë dhe me shumë mundësi të njëjtin fat do të ketë edhe në dy ndeshjet e fundit të këtij sezoni, ato që do të zhvillojë në Rumani dhe Maqedoni. Një pjesmarrje e sivjetme që u nis për marrje eksperience por në fakt rrugës shfaqi shumë probleme, duke nisur nga prishja e tabelës elektronike që në takimin e parë, për të vazhduar me prishjen e parketit herëpashere dhe për të përfunduar me ndeshjet e fundit që do të jenë thjesht për formalitet.
Gjergj KOLA