Sunday, February 22, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia ndryshon të shtunën, lëvizje në mbrojtje dhe sulm

Vllaznia ndryshon të shtunën, lëvizje në mbrojtje dhe sulm

Për sfidën me Luftëtarin pritet që Vllaznia të paraqitet në fushë me ndryshime sa i përket formacionit.

Informacionet jo zyrtare që dalin nga skuadra shkodrane kanë krijuar idenë që lëvizja e parë e teknikut Gjoka do të nisë nga prapavija, ku rikthehet Renato Malota në qendër të mbrojtjes, përkrah Sedat Berishës.

Lëvizje kjo që e ndihmon teknikun kuqeblu të shtyjë përpara Orelesin për të luajtur në vendin e tij si mesfushor shkatërrues, në krah të Krymit.

Një tjetër lëvizje pritet edhe në vijën e parë të sulmit, ku ndryshe nga ndeshja me durrsakët, këtë fundjavë, përballë gjirokastriteve, në vend të Ribajt pritet të aktivizohet Çinari.

Ky i fundit, në pjesën më të madhe të kampionatit ka luajtur në krahun e majtë, si mesfushor-sulmues, madje në jo pak raste ka shënuar.

Me këto lëvizje, duke shtuar edhe mobilizimin dhe shpirtin e garës që futbollistët i kanë garantuar se do të japin në fushë, tekniku Gjoka synon fitoren ndaj Luftëtarit.

Për situatën ku gjendet Vllaznia, vetëm trepikëshi i bën punë. Gjatë seancës së djeshme stërvitore nuk është dhënë të kuptohet se kush mund të jenë emrat e formacionit të parë.

Dje ka munguar minutazhi i zakonshëm i lojës në pjesën përmbyllëse të seancës, që zbardh formacionin e ndeshjes së ardhshme.

Kështu, për të mësuar konkretisht si mund të vendoset skuadra në fushë ndaj Luftëtarit, duhet pritur ndoshta seanca e sotme. /sportekspres/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments