Barazimi të mërkurën ndaj Skënderbeut në ndeshjen e zhvilluar në Laç, ka rritur entuziasmin në kampin shkodran. Një pikë kjo që i jep Vllaznisë shansin e madh për të qenë tashmë një nga skuadrat pretendente për kalimin në gjysmëfinale të kupës. Vendimtare sigurisht që do jetë ndeshja direkte që skuadra shkodrane do luajë pas dy javësh në “Loro Boriçi” me Flamurtarin. Megjithatë, kuqeblutë nuk duhet të mendojnë krejt kështu sepse edhe Laçi nuk ka ndër mend të heqë dorë nga pretendimet e tij dhe do kërkojë ta mundë Vllazninë në ndeshjen e rradhës. Nëse ndodhte kështu, kjo do prishte jo pak punë sepse pastaj shkodranëve do iu duhej një fitore 3-0 ndaj Flamurtarit për t’u kualifikuar. Në këtë mënyrë, nëse mendohet se sfida me kurbinasit është e kaluar, mund të jetë një gabim i madh.

Por në kampin shkodran nuk shkojnë aq larg duke menduar. Ata për momentin e kanë mendjen tek analiza e ndeshjes që kaloi me Skënderbeun dhe ajo që vlen me Teutën. Pikërish, gjithçka ka të bëjë me këto dy ndeshje, është analizuar dje për disa minuta përpara nisjes së stërvitjes së kuqebluve. Trajneri Vata mësohet “t’ua ketë tërhequr veshin” jo pak disa prej futbollistëve të tij, kryesisht ndonjërit në repartin e mbrojtjes. Ato çfarë janë diskutuar në analizë nuk bëhen shumë të ditura megjithatë thelbi I asaj çfarë është diskutuar, është marrë vesh. Vata ka falenderuar lojtarët për paraqitjen e bërë ndaj skuadrës më të mirë të kampionatit shqiptar siç është Skënderbeu, duke mos u treguar asnjë moment inferiore ndaj saj në të dy takimet e kupës që luajti me të. Madje, thënë më saktë, Vllaznia ka qenë shumë më lart se korçarët në të gjitha drejtimet. Qarkullimi I topit ka qenë I mirë, po ashtu edhe në manovrën sulmuese gjërat nuk kanë shkuar keq. Por, Vllaznia ka ende për të rregulluar në lojën e saj. Nëse në takimin e fundit mungoi Kraja për arsye dëmtimi, në qendër të mbrojtjes është rikthyer të luajë sërish Arsen Sykaj që ka gabuar përsëri. Madje, edhe trajneri Vata në konferencën e shtypit të pasndeshjes, ka lëshuar jo pak fjalë kundër tij ndonëse jo në mënyrë direkte. Sykaj fajësohet për penalltinë e shkaktuar në favor të Skënderbeut dhe po ashtu edhe për golin e korçarëve në minutat shtesë. Ndodh edhe kështu. Në fakt, trajneri pikërisht për këtë arsye, e pat shprehur hapur mosbesimin ndaj këtij lojtari pikërisht nga gabimet e bëra prej tij por edhe prej Petroviç gjatë fazës së parë. Malazezi në pamundësi për ta larguar për shkak të kontratës, ka mbetur formalisht në skuadër ndërsa Sykaj e ka humbur vendin e titullarit, por u rikthye të luajë në mungesë të Krajës këtë ndeshje. Në fakt, me Krajën dhe Vuk në qendër të mbrojtjes, Vllaznia në dy ndeshje nuk pësoi asnjë gol. Ndoshta ëhstë rastësi por ky është realiteti. Megjithatë, ky është kontigjenti që ka aktualisht Vllaznia dhe me to do vazhdohet deri në fund të sezonit. Ndoshta pikërisht për këtë, trajneri Vata nuk përmendi emra pas barazimit me korçarët sepse do t’I duhet të punojë me to deri në fund.  E rëndësishme është të gabohet sa më pak sepse tani nuk ka më kohë për të gabuar. Sezoni po shkon drejt fundit dhe skuadra duhet të jetë shumë e konsoliduar për të arritur objektivat që ka. Duke nisur nga ndeshja e rradhës me Teutën ku do kërkohet sërish pikë për të vazhduar me serinë e rezultateve positive në ndeshjet e fundit.

Gjergj KOLA