Fundjava që lamë pas ishte e dedikuar për javën e 12-të të Superiores, por shënoi edhe raundin e fundit para pushimeve. Kjo pasi i gjithë futbolli dhe jo vetëm në Shqipëri do jetë pushim për thuajse një muaj.

Si shkak i zhvillimit të Botërorit në Katar, që për herë të parë do luhet në dimër. Mirë po kjo ndalesë ndoshta mund të ndikojë negativisht tek disa skuadra.

Një ndër to është edhe ekipi i Vllaznisë. Shkodranët e drejtuar nga Josa kishin shfaqur luhatje të shumta këtë edicion me lojërat e tyre, por kjo periudhë e javëve të fundit duket se e solli ekipin në formë. Kuqeblutë arritën dy rezultate pozitive rradhazi, me fitoren 0-1 kundër Kukësit dhe barazimin 0-0 përballë Tiranës në kryeqytet.

Duke mos harruar edhe barazimin 2-2 kundër Erzenit në Shkodër, ku gjithsesi ngelet një rezultat pozitiv në letër. Fitorja kundër Bylis 2-1 dhe barazimi 1-1 në Laç përballë vendasve e dërgon në 5 ndeshje rradhazi pa humbje ekipin 9 herë kampion të vendit. Dhe me një nivel loje në rritje ndoshta ndërprerja nuk erdhi në momentin e duhur për Vllazninë.

Megjithatë skuadra mund ta shfrytëzojë këtë pushim për të rikuperuar në 100% grupin nga dëmtimet. E po ashtu do e mbajë tonusin me zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore, e pa përjashtuar edhe një vëmendje nga merkato, ku janari është shumë afër dhe drejtuesit mund të tentojnë përforcimin e ekipit me elementë cilësorë.
Endri ÇINARI