Vllaznia e këtij sezoni po flitet se është më e mirë se ajo e një viti më parë. Specialistët dhe vetë stafi drejtues e vënë theksin në këtë drejtim, por shifrat tregojnë të kundërtën. Vllaznia e një sezoni më parë në 8 takimet e fazës së parë kishte grumbulluar 19 pikë dhe ishte e vetme në krye të renditjes, ndërsa këtë sezon kjo skuadër ka arritur që të grumbullojë vetëm 10 pikë.

Nëntë pikë më pak se një sezon më parë tregojnë se Vllaznia e këtij sezoni nuk është më e fortë se ajo e një sezoni më parë. Vllaznia e këtij kampionati ka arritur që të marrë vetëm 2 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje. Ndërsa ajo e një sezoni më parë ka realizuar në 8 përballjet një shifër prej 6 fitoresh, 1 barazim dhe një humbje.

Ajo ka dominuar për më tepër me lojë ndaj çdo kundërshtari, duke lënë që të besohet deri në fund tek arritja e titullit kampion në fund të sezonit. Ajo që shikohet është se Vllaznia e këtij sezoni nuk ka arritur që të fitojë më shumë se dy takime dhe këto i ka fituar me goleadë. Ndërsa ka humbur dy sfida me të njëjtin rezultat 0-2.

Barazimet në këtë sezon me shifrat 1-1 kanë dominuar në këto takime të luajtura. Ndërsa vetëm në një takim nuk ka shënuar në këto 8 përballje. Në 8 takimet e para të sezonit të shkuar Vllaznia ka barazuar vetëm në një sfidë dhe atë pa gola, ndërsa vetëm dy skuadra e kanë ndëshkuar në 8 sfidat.

GOLAVARAZHI – Vllaznia e këtij sezoni mban një rekord për Superioren shqiptare për golat e pësuar. Ajo ka pësuar 13 gola në 8 javë, gjë që ka sjellë ndoshta edhe ato probleme që skuadra po kalon tani. Me përjashtim të përballjes ndaj Skënderbeut, e mbyllur me shifrat 0-0, skuadra shkodrane nuk ka mbyllur asnjë sfidë tjetër pa pësuar gol.

Kjo është pikërisht pika më e dobët e kësaj skuadre. Një sezon më parë në tetë takimet e para kuqeblutë kanë pësuar vetëm 6 gola. Vllaznia e këtij sezoni mban një rekord të golave të pësuar, teksa një sezon më parë skuadra pësoi vetëm 6 gola në tetë takime dhe u ndëshkua pikërisht katër herë nga Kukësi dhe dy herë nga Tirana, të dyja përballje të zhvilluara në Shkodër.

Por, në 6 takime portieri Zogoviç dhe mbrojtja kuqeblu e mbajti të paprekur portën e vet. Sulmi i Vllaznisë në këtë sezon po quhet një nga më të frikshmit e Superiores. 5 golat e shënuar ndaj Laçit dhe 6 ndaj Dinamos në Shkodër krijojnë bindjen se ky është një fakt.

Por, skuadra ka arritur që të shënojë vetëm nga një gol ndaj Teutës, Partizanit e Egnatias. Një sezon më parë Vllaznia ka arritur që të shënojë po kaq herë sa këtë sezon. Por një sezon më parë Vllaznia i kishte të ndarë golat në disa takime e kësaj here këto nuk kanë një ndarje të tillë.

Ndryshe nga çfarë flitet Vllaznia e një sezoni më parë nisur nga të gjitha statistikat qëndron më lart se ajo e këtij sezoni.