Vllaznia mori një humbje të “rëndë” dje në takimin e javës së 19-të të Superligës. Shkodranët u mundën nga skuadra e Laçit në shifrat 1-0, ku gjithçka u vendos nga një penallti e shndërruar në gol nga Guindo. Një disfatë që “djeg” shumë në bilancet për garën për titull kampion.
Kjo pasi Tirana është 13 pikë larg dhe titulli duket një fjalë e pamundur në ambientin kuqeblu. Kjo ishte humbja e parë pas 14 ndeshjesh për skuadrën e drejtuar nga Brdariç mes kupës e kampionatit. Ekipi shkodran nuk njihte humbje që nga ndeshja e kampionatit në fazën e parë me Tiranën në shifrat 0-2 në Shkodër.
Rezultatet ndoshta nuk kanë qenë aty ku shpresojnë tek Vllaznia dhe tifozeria shkodrane, por loja ka qenë e një niveli shumë të lartë. Vllaznia në të gjitha ndeshjet ku është ndalur ka dominuar në lojë kundërshtarët. Edhe dje kundër Laçit, 9 herë kampionët e vendit e dominuan ndeshjen duke pasur disa raste të pastra.
Vetëm mungesa e konkretizimit përpara portës është ajo që ka penalizuar kuqeblutë. Loja ka qenë e një niveli shumë të lartë dhe kjo jep shpresë për të ardhmen. Patjetër që të gjithë duan 3 pikët, por niveli i treguar në këto takime nga Vllaznia tregon për një ekip me cilësi që për momentin po kalon një ngërç në gjetjen d golit.
Endri ÇINARI