Besëlidhja apo Pogradeci përballë Vllaznisë në play-out? Ish- futbollisti i kësaj të fundit, Alsid Tafili është i mendimit se më mirë do të ishte që përballë ekipit shkodran të ishte në këtë ndeshje delikate të sezonit, pikërisht fqinjët e tyre lezhjanë.
Dhe kjo jo se ata janë më të dobët se pogradecarët por për një arsye tjetër. Mesfushori shkodran e ka thënë këtë gjë gjatë emisionit “Sport Arena” ku ka qenë i ftuar, duke dhënë edhe idenë e tij përfundimtare se Vllaznia në fund pastaj do të shpëtojë dhe do të sigurojë qëndrimin sërish në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm.
“Unë them se më mirë për Vllazninë do të kishte qenë që në play- out të luante kundër Besëlidhjes. Në rradhë të parë e them këtë ngaqë lezhjanët janë një kundërshtar që i njohim ndërsa pogradecarët jo dhe aq. Me Besëlidhjen janë ndeshur disa herë sezonin e kaluar dhe po ashtu edhe këtë sezon kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore, ia njohin ekipin, ia njohin lojtarët.
Normalisht që duke ditur se Besëlidhja ka edhe shkodranë brenda në rradhët e saj të cilët pretendojnë diçka më shumë, atëherë vetëvetiu që futbollistët e Vllaznisë do të karikohen pak më shumë, e mendojnë edhe këtë pjesë, pra nuk do ta neglizhojnë.
E them këtë sepse në futboll neglizhenca është problemi më i madh. Kur një ekip i madh luan përballë një ekipi “të vogël”, neglizhenca bën që në fushë pastaj ekipet të jenë të barabarta. Ti neglizhon, ai karikohet pak më shumë dhe luajnë njëlloj.
Nëse ndodh kështu, mendoj se futbollistët e Vllaznisë do ta paramendojnë këtë gjë, do luajnë ashtu si duhet dhe mendoj se duhet ta kalojnë me sukses atë ndeshje”- është shprehur ish- mesfushori i kuqebluve.
www.shkodrasport.com