Opinion nga Redan BUSHATI*

Fitorja, sido që të jetë, është fitore dhe sjell gëzim e kënaqësi. Veçan në futboll ajo e karikon grupin dhe rrit ndjeshëm anën psikologjike për vazhdimësinë. Ndodh që një ekip zhvillon lojëra, që ia vlen ta duartrokasish, por kur nuk merr pikët, si rezultat i lojës së bukur, atëherë grupi përjeton një ngërç, ku sa më e shpejt të jetë dalja aq më pozitive është edhe për objektivat e skuadrës. Gjithsesi, pa humbur kohë të kalojmë te Vllaznia, në ekipin që ka marr me vete zemrat e shumëkujt, por që në shkallët e stadiumit numri i ndjekësve, prej disa vitesh, nuk është aty ku duhet. Megjithatë, nuk është kjo çështje objekt i këtij diskutimi.
Vllaznia të dielën mundi Laçin, i cili është një ekip i fortë dhe që rreshtohet mirë në mbrojtje, duke u krijuar herë pas here probleme ekipeve, po themi, të mëdha të kampionatit tonë – në javën e dytë fituan në Vlorë (1-0) dhe në javën e katërt, edhe pse humbën me rezultat të thellë (3-0) përballë Skënderbeut, lëshuan vetëm në 10 minutat e fundit të ndeshjes, pasi ekipi, asokohe i Stavri Nicës, luajti denjësisht dhe rivalizoi përreth 80 minuta vendasit. Kështu, Laçi edhe pse nuk ishte kockë e lehtë për t’u kaluar nga Vllaznia, kjo e fundit mori trepikëshin, aq të çmuar në këtë javë të 6-të, duke pasur parasysh faktin se Tirana ndali ritmin në Vlorë, e kësisoj kuqeblutë i ndan veç një pikë nga kryeqytetasit dhe tre pikë nga Skënderbeu.
Po të kthesh kokën nga fillimi i kampionatit do të vëresh se Vllaznia e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi u mund në shtëpi nga Skënderbeu, barazoi me Kukësin, edhe pse fitoi me Luftëtarin, u “mund” në barazim në «Loro Boriçi» me Apoloninë e Fierit, që të gjithë po ia marrin pikët e plota, dhe vijmë te këto dy javët e fundit, ku kuqeblutë kanë arritur dy fitore radhazi, të kënaqshme pasi janë marrë 6 pikë, edhe pse loja ka vend për t’u përmirësuar. (Vllaznia ka plot 7 muaj, që nuk ka arritur të fitojë dy ndeshje radhazi në kampionat. Dy fitoret e saj të njëpasnjëshme janë sigluar në kohën e Rudi Vatës, me 4 mars kundra Kamzës 4-0 dhe një javë më pas në Durrës, duke mundur Teutën vendase me rezultatin surprizë 1-0).
Në javën e 7-të Vllaznia udhëton në Berat, në një ndeshje tejet të fortë ndaj vendasve, të etur për pikë, nëse vërtet u besojmë pretendimeve të tyre se “kanë synime për të qëndruar në Superiore”. Tomori në fushën e tij i mori, para një jave (30.09.2012), barazimin Skënderbeut, madje që të jemi krejt në rregull, ishin kuqebardhët që shpëtuan nga një humbje, pasi sulmuesi Vangjel Mile ka goditur dy herë shtyllën e Shehit, e po ashtu djemtë e Kristaq Miles kanë pasur edhe raste të tjera për shënim, në pjesën e dytë. Kështu, Duro duhet të arkivojë ndeshjen me Laçin dhe të mendojë për transfertën në qytetin muze. Psikologjikisht, siç thamë edhe më sipër, ekipi është mirë dhe të gjithë duhet ta mbështesim, edhe pse loja nuk ka qenë aty ku duhet, të rëndësishme janë pikët dhe kur vijnë ato, me gjasë, edhe loja mund të njohin përmirësimin e saj.
Sa i takon dyshes sulmuese Rexha-Hysa, duhet të kuptojmë, edhe pse sulmuesit janë për të shënuar, se po kalojnë një stepje psikologjike, e cila mund të kalohet me forcën reaguese të tyre, bashkëpunimin dhe ndihmën e stafit drejtues, shokëve të ekipit dhe ambientit rreth e rrotull klubit Vllaznia. Janë djem të ri, që të dy, dhe duhet t’i përkrahim e jo t’i mbysim me ulërima, duke i stigmatizuar se “Vllaznia ka pasur gjithmonë sulmuesa të jashtëzakonshëm, që e kanë njohur mirë portën e kundërshtarit”. Jam dakord, si çdo tjetër që e njeh Vllazninë, se ekipi historikisht nuk ka vuajtur për sulmuesa, pasi Shkodra ka nxjerr me “tonelata”. Por duhet të kuptojmë edhe tjetrën, se ishin vetë drejtuesit e ekipit, që e dërguan situatën deri në këtë pikë, duke lënë të iknin të gjithë sulmuesit “pjellorë” shkodranë nga Vllaznia. Të gjithë sot thërrasin “Sinani, Sinani!”. Po ai s’ka ç’bën, edhe pse ka dhënë si askush tjetër për bluzën e Vllaznisë, pasi vjen një kohë që mosha bën të veten dhe varen këpucët në gozhdë. Nuk është faj se Sinani ka lënë futbollin, faj është të lejosh të rinj të talentuar, që rriten brenda qytetit tënd, të ikin apo në rastin më të keq t’i largosh, nën pretekstin se nuk bëjnë për Vllazninë. E di se edhe mund të ngrihet asish të thotë se “Vllaznia nuk ka larguar asnjëherë askënd”, por gabon, madje gabon rëndë. Edhe pse sportistët nëpër media pak flasin me të vërtetat e mëdha, me shokët dhe miqtë e tyre zbrazen për çfarë kanë kaluar te kuqeblutë. Pikërisht nga shkodranët e Laçit shkoni te shkodranët e Krujës, të Luftëtarit e kështu me radhë, e të tregojnë se çfarë “përdhunimit” i kanë bërë drejtuesit e Vllaznisë. Ja një prej tyre, “X lojtar talent nga Vllaznia ka shënuar trefishin e golave të një lojtari Y të blerë, i cili rrogën e ka pasur 8 apo 9-fish më të lartë se lojtari shkodran X”. Dhe e dini sa kanë marrë te Vllaznia, në kohë të ndryshme, Gocaj, Boci, Bala, Hasani me shokë? Nga 10000-20000 lekë të reja. Më pak, ndofta, se punëtorët e fushës së «Loro Boriçit». Gjithsesi, është histori e gjatë për t’u trajtuar dhe ka shumë “thasë” për t’u hapur, por ky nuk është momenti, sepse edhe gjëra të tilla, në kushtet e sotme, duhet t’i mbulojmë në mënyrë që të mos ndikojnë negavitisht brenda gjirit të ekipit.
Vllaznia nuk është top, por ka fituar dy javë radhazi dhe kjo është shumë e rëndësishme për ecurinë e ekipit drejt rezultateve të tjera pozitive, duke filluar që nga ndeshja në Berat. Edhe pse këto të fundit do të luftojnë fort, Vllaznia duhet të zhbllokojë e para rezultatin, në mënyrë që mos t’i lërë hapësirë vendasve për rritje të optimizmit dhe adrenalinës në fushë, nëse do të arrijnë të shënojnë në portën e Vujadinoviçit, përpara se ta kenë bërë tanët një hap të tillë.
Thonë që mesfushorët po bëjnë gola dhe këtë e thonë me gjysmë ankimi apo edhe mjaft të brengosuar. Nuk ka aspak rëndësi se kush i jep fitoren ekipit, pasi mesfushorët sa kanë detyra mbrojtëse, aq kanë edhe sulmuese, e sidomos 10-ta gjithmonë pas dy sulmuesve, duhet të jetë sa më pranë portës, në mënyrë që kur skuadra sulmon të hidhen vrullshëm, së paku tre, pasi në mbrojtje dhe sulm, mendim im është se, duhet të luajnë në bllok, pa shkëputje nga repartet dhe kur ekipi është agresiv e në sulm, të gjithë duhet të jenë në shërbim të këtij qëllimi, e kur ekipi ruan rezultatin dhe reagon me anë të kundërsulmit, të gjithë duhet të markojnë, e më pas të mendojnë të dalin në shpërthim e sipër për të gjetur golin me anë të sulmit të shpejtë. Gjithsesi, edhe pse sulmi duhet të shënojë, e rëndësishme është që skuadra të dijë të reagojë dhe të fitojë ndeshjet.
Në fund diçka kam për të shtuar, që skuadra dhe sportdashësit mos të kalojnë në eufori, se Vllaznia akoma nuk është ndeshur me ekipe të tilla, si Tirana, Flamurtari, Besa apo Teuta. Sigurisht, çdo ndeshje, si kundër Tiranës apo kundër Tomorit, vlen tre pikë, por vështirësia nuk është e njëllojtë. Kësisoj, dua të them se Vllaznia akoma nuk është matur me skuadrat «big», përjashto Skënderbeun, me të cilin edhe ka humbur. Shkodra meriton, pas kaq e kaq vitesh (2000-2001 fitoi për herë të fundit kampionatin), titullin kampion. Investimet e bëra te një objektiv i tillë të dërgojnë, edhe pse shkalla e vështirësisë është tejet e madhe, kur mendon se ekipi është krejtësisht i ri, e kërkon ende kohë kolaudimi.
Pas sfidës në Berat, shkodranët presin Shkumbinin në Shkodër dhe më pas sfidat e forta fillojnë, ndaj ekipi duhet të marrë se s’bën në dy javët e ardhshme, 6 pikë të plota, ndryshe ëndrra për t’u kurorëzuar kampione do të jetë e vështirë për t’u kthyer në realitet, pasi Vllaznia në javën e 9-të shkon në Durrës, vjen Tirana në Shkodër, shkojmë në Kavajë dhe më pas vjen Flamurtari i milionave, për ta mbyllur fazën e parë në Krujë, aty ku do të gjejmë sërish shkodranë.
*Autori është analist në gazetën Nacional Albania