Ekipi shkodran do të zhvillojë një tjetër miqësore pas asaj të së mërkurës me Adën. Këtë herë përballë do të ketë ekipin Otrant të Ulqinit, ndeshje që do të luhet në orën 15.30 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kuptohet që ky takim do të ketë vlera për stafin teknik të kuqebluve që do të testojë ekipin në prag të takimit të rradhës me Tërbunin sepse do të testohen disa lojtarë, do të provohet ndonjë mënyrë tjetër loje dhe vendosje në fushë. Por miqësorja e nesërme merr vlera sepse ajo do të zhvillohet edhe në kuadrin e sensibilimizit të sportdashësve për të dhënë një ndihmë për ish- futbollistin e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare Luan Vukatana.

Ky i fundit siç është bërë e ditur, po kalon një gjendje të rëndë shëndetësore teksa po lufton me operacionet dhe terapitë për t’ia hedhur sëmundjes. Dhe natyrisht që për t’i ardhur atij sadopak në ndihmë, do të shërbejnë edhe lekët e mbledhura nga shitja e biletave apo dhe donacionet e tjera që do të vijnë nga miq e dashamirës të tij. Kuptohet që takimi nuk ka shumë rëndësi sa i takon rezultatit por rëndësia e tij merr vlera edhe më të mëdha nga qëllimi për të cilin organizohet. Pavarësisht këtij fakti, Grima dhe stafi i tij do të tentojnë të shohin në fushë skuadrën ashtu si duhet dhe për të vërejtur nëse ajo ka rritje apo jo në krahasim me takimet e fundit. Kampionati tani do të vijë duke u vështirësuar dhe kuptohet që ai duhet të jetë i përgatitur për këtë gjë.

© shkodrasport.com