Problemet e fillimit te Vllaznia tashmë kanë nisur të marrin zgjidhje. Situata me covid-19 që krijoi në njëfarë mënyre panik fillimisht, tashmë ka filluar t’i lërë vend normalitetit.
Nga dita në ditë po shtohet numri i futbollistëve që rezultojnë negativ dhe po i rikthehen stërvitjes me ekipin duke e lënë tashmë në minorancë numrin e të infektuarve.
Dy të rradhës që kanë rezultuar të tillë kanë qenë kapiteni Erdenis Gurishta dhe mesfushori Uheid Hoxha. Ata kanë marrë përgjigjet e testeve dhe ato i kanë nxjerrë të pastruar nga virusi.
Në këto kushte, të dy këta lojtarë ditën e sotme janë vënë në dispozicion të trajnerit Brdariç dhe kanë zhvilluar seancën e rradhës me ekipin.
Testin e ka bërë sot edhe mbrojtësi maqedonas Isaevski dhe pas dy ditësh pritet që edhe ai të rezultojë negativ sepse nuk ka ndjerë asnjë shqetësim.
Kësisoj, edhe nëse do të fillonte këtë javë kampionati, te Vllaznia nuk do ishin më të shqetësuar për gjendjen e futbollistëve sepse tashmë shumica është në dispozicion të stafit teknik./SHKODRA-SPORT.COM/