Sezoni aktual ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për futbollistin shkodran Eslit Sala. Pas huazimit sezonin e kaluar tek ekipi Mqabba, sivjet është rikthyer tek La Valletta dhe nuk është një rikthim dosido.

Futbollisti 20 vjeçar që gjatë karrierës së tij të deritanishme kishte luajtur si mesfushor qendre, tashmë është duke luajtur në rolin e mbrojtësit të majtë.

Dhe këtë detyrë të ngarkuar nga trajneri po e bën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka luajtur titullar në dy prej tre ndeshjeve që është aktivizuar dhe në të parën ka dhënë asistin e njëri prej golave, ndërsa në takimin e kësaj jave, duke luajtur për 90 minuta ka bërë një paraqitje shumë të mirë në barazimin 1-1 në transfertë ndaj Hibernians.

Kjo paraqitje e mirë e futbollistit të kombëtares U20 të Shqipërisë, ka bërë që Sala të përzgjidhet në formacionin më të mirë të javës së katërt të kampionatit maltez të futbollit. Jo keq kjo nisje, por me siguri që në të ardhmen do të dëgjojmë lajme edhe më të mira për këtë lojtar të talentuar shkodran.

Skuadra e tij La Valletta pas javës së katërt të kampionatit, ndodhet në vendin e pestë në renditje dhe kuptohet që pretendimet e saj janë për të shkuar më lart ngaqë sivjet synon fitimin e titullit kampion.
/SHKODRA-SPORT.COM/