Përpjekjet e drejtuesve të Vllaznisë për të gjetur lojtarët e duhur në merkato vazhdojnë. Lajmi më i fundit që është bërë i ditur sot në media, është ai i interesimit të shkodranëve për mbrojtësin argjentinas Lukas Malakarne. Ai ka mbyllur aventurën një vjeçare me Kastriotin e tani është lojtar i lirë, në pritje për të gjetur një skuadër të re. Lukas Malakarne është në treg. Mbrojtësi argjentinas është piketuar nga drejtuesit e Vllaznisë të cilët së fundmi kanë nxituar t’i bëjnë një ofertë konkrete për t’a joshur. Katër mijë dollarë në muaj është ajo çfarë shkodranët i ofrojnë mbrojtësit 23-vjeçar.
Por, tratativat për momentin janë bllokuar. Malakarne pasi ka mësuar ofertën e Vllaznisë ka kërkuar kohë për t’u menduar. Në dorë ka një mundësi për t’u transferuar në Korenë e Jugut, por dhe për këtë pistë i duhet të presë edhe disa ditë të tjera. Vllaznia gjithashtu është një mundësi mirë për argjentinasin, lojtar i ambientuar shumë shpejt me futbollin shqiptar.Trajneri Shpëtim Duro e dëshiron lojtarin për të forcuar qëndrën e mbrojtjes dhe sipas të gjitha gjasave, javën e ardhshme palët mund të ulen në tryezë për të biseduar konkretisht për mundësinë e bashkëpunimit.Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do ndodhë nëse argjentinasi do vishet kuqeblu apo jo.