Nga Gjergj KOLA

Pavarësisht zhurmës që po bëhet, tek Vllaznia ende nuk ka asnjë lëvizje konkrete në merkato. I vetmi që ka firmosur deri më tani është mbrojtësi I ardhur nga Ada, Mateo Zefi. Për të tjerët, ndonëse flitet shumë, ende nuk ka asnjë firmë në kontratë. Nga futbollistët e huaj që kanë ardhur në Shkodër, për momentin është duke u stërvitur vetëm mbrojtësi kroat Ante Bulat. Ai ende nuk është parë në një ndeshje kontrolli të vërtetë por duket se forma e tij sportive nuk është ajo më e mira. Përveç kroatit, në stërvitje dy ditët e fundit ka qenë edhe mbrojtësi shkodran Antonio Marku. Ai ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer tek Vllaznisë sërish pas një përvoje jo shumë positive të kaluar tek Kukësi 6 muajt e fundit ku nuk gjeti hapësirat e duhura për aktivizim. Megjithatë edhe ardhja e Markut është në dyshim sepse ekipi I Dinamos po këmbëngul për ta marrë ngaqë synon ngjitjen në Superligë në fund të këtij sezoni. Nëse Marku është në dyshim, shumë pranë firmës me Vllazninë është mesfushori shkodran Stivi Shaba që ka qenë pjesë e Kastriotit më parë. Të tjerë të pranishëm në stërvitje nuk ka. Në kushte të tilla kur Semina dhe Ramadani thuajse janë të larguar nga Vllaznia. Megjithatë në ditët e ardhshme pritet që të ketë ardhje të tjera. Pritet që sot ose nesër të mbërrijë në Shkodërt edhe një tjetër mbrojtës kroat dhe po ashtu po pritet edhe sulmuesi kosovar Rexha. Gjithsesi edhe këto janë të pamjaftueshëm megjithatë shpresohet që gjërat në ditët e ardhshme të rregullohen.
