Antonio Marku, mbrojtësi shkodran që luan në qendër dhe nga e majta e këtij reparti, është shumë pranë firmosjes me Vllazninë. Dje ai u është bashkuar kuqebluve në seancën e parë të kësaj jave përgatitore. Për Markun ka kohë që përflitet një kalim i mundshëm te Vllaznia, ndërsa është kontaktuar nga ana e drejtuesve të klubit kuqeblu që në fund të dhjetorit. Mirëpo, lojtari nuk ishte i gatshëm për të hyrë në bisedime, duke qenë se ende nuk i kishte dhënë fund kontratës së tij me Kukësin. Tani që gjithçka është mbyllur me këtë skuadër, ai ka hyrë në bisedime me krerët kuqeblu. Dalja e tij e djeshme në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit është një tregues se akordi mes shkodranit dhe klubit Vllaznia është shumë pranë. Megjithatë, vetë Marku nuk e ka konfirmuar si të përfunduar marrëveshjen mes tij dhe Vllaznisë. Mësohet se kanë mbetur për t’u parë vetëm disa çështje financiare. Ndërkohë, nga ana tjetër, për shkodranin një interesim të vazhdueshëm po shpreh edhe Dinamo. Klubi blu ka shfaqur dëshirën për ta pasur në gjirin e tyre lojtarin në fjalë. Dritan Mehmetaj, i cili ka qenë një nga trajnerët që e ka drejtuar mbrojtësin me të rinjtë e Dinamos (Marku ka qenë kapiten i kësaj skuadre), ka shprehur një interesim të madh për ta pasur sërish ish-lojtarin e tij në përbërje të kësaj skuadre. Marku i ka falënderuar drejtuesit e Dinamos për interesimin, pasi duket se atë e tundon veshja e fanellës së Vllaznisë, e cila jo vetëm është në Superiore, por është dhe një ndër skuadrat që pretendon të jenë në Kupat e Europës, pse jo përmes Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, duhet pritur ndoshta edhe katër apo pesë ditë, deri kur administrator Gjyrezi të jetë në Shkodër për të nënshkruar kontratën me Markun.
Bulat – Ditën e djeshme është bashkuar me Vllazninë edhe mesfushori kroat Ante Bulat. Ai është një mesfushor shtatlartë dhe të dhënat e tij janë tepër të mira. Këto cilësi duket se kroati i ka shfaqur edhe në stërvitjen e djeshme. Megjithatë, për drejtuesit shkodranë kjo nuk ka mjaftuar për të vendosur nëse Bulat mund të jetë pjesë e bisedimeve të mëtejshme. Krerët e Vllaznisë do të vendosin të mërkurën për kroatin, kur kanë planifikuar zhvillimin e një miqësoreje, që do të jetë edhe prova e fundit për të ardhmen e lojtarit.
Admir URUÇI