Që nga paraditja e së hënës, 5 boksierë të kombëtares shqiptare të 18 vjeçarëve si dhe 6 sportistë të ekipit të Vllaznisë, bashkë edhe me trajnerët Zef Gjoni, Lazarin Vila e Jozef Sermi, janë grumbulluar për një periudhë 10 ditore në plazhin e Shëngjinit, në përgatitje të aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare që i presin. Trajneri i Vllaznisë dhe njëkohësisht i kombëtares sonë, Zef Gjoni, në një prononcim për gazetën shkodrasport.com ka thënë se atë që se bëri Federata Shqiptare e Boksit për këta sportistë, e bëri kryetari i Komunës së Shëngjinit, ish-sportisti i njohur Salvator Kaçaj. “Dua ta falenderoj përzemërisht kryetarin e komunës së Shëngjinit, ish- futbollistin e kombëtares dhe të Vllaznisë, Salvator Kaçajn, që na e bëri të mundur këtë grumbullim 10 ditor. Ai bëri atë që se bëri as Federata Shqiptare e Boksit dhe as presidenti i saj, të cilëve nuk po u bie ndër mend për këtë brez shumë cilësor që kemi në dispozicion”- ka thënë trajneri Gjoni.
Viti 2014 në këtë mënyrë i ka gjetur boksierët në grumbullim dhe në fazë përgatitore. Objektivat e tyre për këtë vit janë të qarta: sjellja e të tjera medaljeve për Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare ku do të marrin pjesë. Trajneri Gjoni është i bindur se do të ketë të tjera medalje nga boksierët tanë edhe gjatë këtij viti. “Objektivat janë të qarta. Të marrim medalje sërish në arenën ndërkombëtare. Pikëynimi me grupin e 18 vjeçarëve për të qenë në mes më të mirëve të Europës por edhe në Lojërat Olimpike të kësaj grupmoshe që do zhvillohen këtë vit. Mundësitë i kemi për ta bërë këtë gjë por edhe me të rriturit”- ka thënë trajneri i kombëtares shqiptare Zef Gjoni
Në këtë mënyrë, boksierët tashmë kanë filluar të mendojnë për larg. Dy vendet e treta në Europë vitin e kaluar nga Zeneli dhe Uldedaj kanë qenë një nxitje edhe për të tjerët prandaj dhe puna ka nisur seriozisht me grumbullimin e parë për këtë vit.
Gjergj KOLA