Vetëm barazim 1-1 për Vllazninë në ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit, atë të luajtur pasditen e së mërkurës në Peqin ndaj Luftëtarit. Një rezultat që sigurisht nuk ka kënaqur stafin teknik të kuqebluve nisur nga mundësitë që ishin për ta fituar këtë ndeshje. Në fakt, kanë qenë gjirokastritët që kanë shënuar të parët. Në minutën e 9-të, Abazaj depërton bukur në krahun e majtë dhe pasi shmang edhe portierin Agoviç e nis topin drejt rrjetës, top që devijohet edhe nga Cicmil por pa I ndërruar dot drejtim dhe për këtë arsye, është Luftëtari që kalon I pari në avantazh.
Një nisje jo e mirë e ndeshjes nga shkodranët që madje, pak minuta më vonë mund të ishin ndëshkuar sërish nga sulmuesi Faje I Luftëtarit. Me kalimin e minutave, duket se Vllaznia zgjohet nga gjumi dhe në minutën e 22-tëm kapiteni Shtubina arrin të barazojë shifrat. Një gol që I jep zemër futbollistëve kuqebluve që me kalimin e minutave luajnë më mirë duke dominuar mesfushën por pjesa e parë nuk do të dhurojë gola të tjerë. Në të dytën, presioni rritet. Në minutën e 52-të Çinari me kokë godet shtyllën pingule të portës së Luftëtarit por pa arritur dot ta dërgojë topin në rrjetë. Gjashtë minuta më vonë është Cicmil me kokë sërish pranë golit. Trajneri Cungu hedh në lojë edhe Krujën e Vecajn për të rritur fuqinë sulmuese por gol nuk do të ketë megjithëse Shtubina në një moment tjetër është shumë pranë golit. Përfundimisht barazim 1-1 në Peqin dhe Vllaznia e Luftëtari vazhdojnë të jenë në të njëjtën kuotë pikësh- shtatë por rezultati I sotëm sigurisht që nuk duhet të kënaqë shkodranët të cilët kishin mundësi të largoheshin me tre pikë nga Peqini.
© shkodrasport.com