Duke parë përballjet e viteve të fundit, mund ta themi pa shumë dyshime se “Loro Boriçi” është stadium aspak i përshtatshëm për Partizanin.

Të kuqtë e kanë gjithmonë shumë të vështirë në Shkodër, aq më tepër tashmë që Vllaznia është një klub me një projekt konkret dhe ambicioz.

Fitorja e fundit e të kuqve në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë daton rreth dy vite më parë, më 19 tetor 2019, me shifrat 1-3, me gola të Kordeiros, Çinarit dhe Asanit për të kuqtë dhe Krymit për Vllazninë.

Që pas asaj ndeshjeje, “demat” nuk e kanë provuar ëmbëlsinë e triumfit në Shkodër. Sot në orën 16:45 kanë mundësinë ta prishin këtë statistikë negative për ta.