Vllaznia sheh më së fundi shpresë për të mbijetuar në kampionatin e volejbollit për femra, pas fitores 3-1 arritur dje pasdite ndaj Dinamos, sfidë që u luajt në sallën sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Sfida ishte jetike për të dyja skuadrat, pasi fitorja do të jepte shpresë deri në përfundim të fazës së dytë të kampionatit, kur dhe përcaktohen 4 skuadrat që do të luajnë në Volej Liga. Për pasojë, humbja do të ishte fatale për këto, ndonëse ka ende edhe 9 javë për t’u luajtur e situata mund të ndryshojë.

Për momentin, Vllaznia ndodhet në vendin e 8-të, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve, 3 më shumë se Dinamo, që ndodhet e parafundit, ndërsa Korabi mbyll renditjen me vetëm një pikë.
Ndeshja ka zgjatur gati 2 orë dhe ndonëse niveli ishte i ulët, emocionet nuk munguan në 3 setet e para, ku gjithçka u zgjidh në pikët e fundit. Dhe ishte pikërisht përvoja e volejbollisteve shkodrane ajo që vendosi ndeshjen në çastet delikate, ndërkohë që debutueset dinamovite nuk e përballuan mirë presionin e pikëve që japin fitoren. Ndeshja nis e ekuilibruar, me shumë barazime dhe në fund, Dinamo përfiton nga gabimet e Vllaznisë dhe është e saktë në sulm, duke fituar 25-23. Situata përsëritet edhe në setin e dytë, teksa sërish të dyja ekipet rivalizojnë fort për çdo pikë, pa u shkëputur. Për pasojë, gjithçka vendoset në pikët e fundit, ku pas barazimit 22-22 mikeshat nga Shkodra shkëputen dhe fitojnë 23-25. Emocione pafund edhe në setin e katërt, ku sërish skuadrat vendosin që fatin ta ndajnë në pikët vendimtare dhe sërish është Vllaznia që shkëputet 21-24 dhe fiton 22-25. Kjo përmbysje motivon edhe më shumë skuadrën e trajneres Goga, që në setin e katërt ka komandën e lojës, ndërsa Dinamo dorëzohet dhe thuajse nuk ekziston në fushë. Vllaznia fiton 9-25 dhe krejt takimin 1-3, duke arritur suksesin e dytë në kampionat, por që ka vlera të dyfishta, pasi mundi një rivale direkt në luftën për mbijetesë. I pranishëm në këtë sfidë edhe trajneri legjendë i Dinamos, Kreshnik Tartari, por prania e tij nuk solli fat të blutë.
Dinamo-Vllaznia 1-3
(25-23, 23-25, 22-25, 9-25)
DINAMO: Nurja, Miraka, N.Nexhipi, Hani, Zeqirllari, Bleta, Leka, Pepa, Backa, Latifi, Shaba, Rodea. Trajner: G. Nexhipi
VLLAZNIA: A.Gjelaj, Molla, Koçeku, Vistaraj, K.Vucaj, Shytani, Rranza, Petëza, F.Gjelaj, A.Vucaj. Trajnere: S. Goga
Gjyqtarë: R.Kasmi, N.Dervishhasani

www.shkodrasport.com