Vllaznia do të kërkojë një fitore në ndeshjen e ditës së nesërme ndaj Partizanit. Skuadra shkodrane do të luajë në stadiumin “Partizani” të kryeqytetit, në një kompleks të ri dhe të sapo inauguruar.
Trajneri i skuadrës Mirel Josa ka realizuar përgatitjet e fundit, duke bërë që skuadra të jetë e gatshme për ndeshjen ndaj kryeqytetasve. Një takim ky që nuk do të jetë i lehtë, pasi të kuqtë e kryeqytetit kërkojnë të fitojnë takimin e rradhës ndaj Vllaznisë për të synuar mbajtjen e kreut të renditjes.
Sigurisht, përballja me kuqeblutë në një kohë të tillë siç jemi tani dhe duke parë ecurinë e dy skuadrave, bën që ekipi i drejtuar nga Giovanni Colella të jetë më superior. Megjithatë, kjo nuk do të thotë asgjë për trajnerin Josa, i cili ka theksuar se shkon për fitore, edhe pse takimi nuk do të luhet në Shkodër.
Ndërkohë, ekipi pret nga ana tjetër një mbështetje të tifozëve kuqeblu që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit, në mënyrë që skuadra të shprehet më mirë në fushën e lojës.
Kështu, siç mësohet, grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras”, por edhe disa të tjerë do të jenë në mbështetje të ekipit, teksa takimi Partizani-Vllaznia do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 16:00 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI