Vllaznia përveçse me të rritur, e thotë fjalën e saj edhe me boksierët e rinj. Në kampionatin e kadetëve të zhvilluar për tre ditë me rradhë në qytetin e Kavajës, ata kanë zënë vendin e pare duke u shpallur kampionë të Shqipërisë për vitin 2012. Boksierët shkodranët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në të tre ditët e aktivitetit. Ata kanë treguar një nivel të lartë në të gjitha ndeshjet e zhvilluara duke u shpallur në fund më të mirët. Në renditjen ekipore, Vllaznia me 23 pikë zuri vendin e parë duke u shpallur ekipi kampion. Në vend të dytë doli ekipi privat I Tiranës Enea me një pikë më pak ndërsa në të tretin Teuta me 14 pikë. Në ndeshjet e ditës finale që u zhvilluan pasditen e së shtunës, kanë triumfuar në peshat respective edhe tre boksierë të Vllaznisë. Kështu në peshën 66 kilogramë, Erald Muja ka mundur rivalin e tij dhe është shpallur kampion I kësaj peshe. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Ilir Pepaj në peshën 70 kilogramë si dhe Syrjan Marinaj në peshën 75 kilogramë. Me tre boksierë kampionë, më shumë se gjithë ekipet e tjera, Vllaznia ka treguar dominimin e saj edhe njëherë tjetër në ringun shqiptar. Një dominim që nuk vjen vetëm me të rriturit dhe të rinjtë por edhe me kadetët. Ky sukses është meritë e punës së madhe që bëhet nga trajnerët Besnik Limani dhe Kujtim Demi me këto mosha dhe nga kryetrajneri Zef Gjoni të cilët tregojnë se në Shkodër punohet mirë me këtë sport duke qenë  gjithnjë I suksesshëm në të gjitha kampionatet dhe garat që zhvillohen.

www.shkodrasport.com