Luftëtari ka mundur sikurse pritej Adën e Velipojës ditën e djeshme me rezultatin 2-0. Shkodrani Rraboshta i ka kaluar bluzinjtë e Nevil Dedes që në minutën e 11-të në epërsi, duke e bërë më të qetë në aspektin psikologjik për të tijtë vijimin e sfidës. Në pjesën e dytë, pasi ka shpërdoruar shumë, ka konkluduar edhe Arlind Nora, duke e vënë në siguri të plotë 3-pikëshin. Në aspektin personal, Nora ngjitet në kuotën e 20 golave në kampionat. Interesi i Luftëtarit lidhej edhe me fatin e Kukësit në Lezhë, sepse frenimi i verilindorëve siguronte edhe matematikisht ngjitjen në Superiore, që është edhe misioni kryesor i këtij sezoni për bluzinjtë, por edhe afrimin e ndjeshëm me titullin kampion. Nga ana tjetër, Ada edhe pas kësaj jave ose 180 minuta para fundit të kampionatit, mban sërish vendin e shtatë në renditje me 36 pikë të grumbulluara. Një vend komod ky për këtë skuadër megjithatë objektivi i drejtuesve velipojakë është ta ruajnë këtë vend deri në fund dhe për ta bërë këtë gjë, duhet marrë pikë të shtunën që vjen ndaj Lushnjës në Velipojë si dhe ndaj Butrintit në Sarandë në javën e fundit të kampionatit.

www.shkodrasport.com