Nga një ekip i pathyeshëm deri dy vite më parë, tashmë të rinjtë e Vllaznisë në volejboll nuk janë më të tillë. Aktualisht, në kampionatin aktual të këtij sezoni, pas 10 javësh kampionat, kanë arritur të fitojnë 6 ndeshje dhe të humbin 4 të tjera. Me këtë ecuri të deritanishme, Vllaznia për të rinj renditet në vendin e katërt me 19 pikë, shumë larg tre vendeve të para që zotërohen nga Farka Volej (30 pikë), Elbasani (26 pikë) dhe Tirana (25 pikë). Në ndeshjen e javës së fundit, atë të luajtur tre ditë më parë, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Mirjan Rrahishta kanë luajtur në Tiranë ndaj Studentit dhe kanë fituar 3-1.

Me këtë ecuri të deritanishme, Vllaznia duket se e ka të sigurtë hyrjen në fazën finale të kampionatit por ka jo shumë shanse për t’u shpallur kampion sepse ekipi Farka Volej vazhdon të jetë dominues ndaj të gjithë kundërshtarëve edhe këtë sezon. Pavarësisht kësaj, puna e ekipit të të rinjve të Vllaznisë siç dihet është nxjerrja e elementit cilësor për ekipin e parë dhe në fakt, çdo vit ndodh kështu teksa ka elementë që spikasin por i gjithë problemi është tek mbajtja e tyre në ekip. Ardhja e ish-volejbollistit Mark Kroqi në krye të klubit shumësportësh Vllaznia është konsideruar diçka pozitive për këtë sport megjithatë duhet parë ndoshta sezonin e ardhshëm se çfarë do ndryshojë për mirë  tek volejbolli shkodran.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)