Gerti Çarçani dhe Sulejman Starova kanë debatuar për objektivin e Vllaznisë. Në emisionin “Skaner” të Çarçanit, ata kishin mendime të kundërta për deklaratat e drejtuesve kuqeblu. Starova flet duke thënë se për të deklaruar stafi teknik që Vllaznia do të jetë për titull, do pak kohë.

Megjithatë, moderatori i njohur, Çarçani, është i mendimit se nuk guxon asnjë drejtues i Vllaznisë të thotë që ky ekip nuk futet në kampionat për titull, aq më tepër trajneri Memelli dhe drejtori sportiv Plori. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe debatin e plotë të Gerti Çarçanit dhe Sulejman Starovës.

Gerti Çarçani: Xhaferi theksoi atë që nuk patën “guximin” ta thonin Plori me Memellin në lidhje me objektivin. Ja pra profesor Starova, që u rikthyem tek e njëjta bisedë që Vllaznia nuk ka shanse të mos e artikulojë fjalën titull. Edhe pse nuk e shprehu Plori me Memellin, kur të thashë se Shkodra do t’u “hypë sipër” si qytet, ti ma kundërshtove. Nuk ka shanse që asnjë drejtues i Vllaznisë të thotë që ky ekip nuk futet në kampionat për titull. Nuk ka asnjë mundësi.


Sulejman Starova
: Vllaznia nuk përjashtohet nga Tirana dhe Partizani, që objektivi dihet që është kampion. Deri diku mund të përmendim edhe fitimin e Kupës, siç ka ndodhur vitet e fundit, por problemi është që ndryshime kaq të mëdha janë paksa problem. Gjithë këto largime do paguhen Gerti. Nuk është kaq shumë e kollajshme të bësh direkt një skuadër për kampion, kur Partizani është mirë. Tirana po e po me shumë vrull të madh dhe tani, njerëzit këto realitete i shohin. Prandaj, them që duhet të jenë të durueshëm.

Gerti Çarçani: Ka një “kontrast” dhe një “përplasje”. Plori dhe Memelli u “frenuan”. Ndoshta, meqë presidenti Xhaferi ishte në Japoni për angazhimet e tij të biznesit, me Albanin që tha titulli më intereson mua i pari. Absolutisht që, është një skuadër për titull. Ka një “kontrast” me një president që rrëzon drejtuesit në aspektin e objektivit.

Sulejman Starova: Tani, ti Gerti je i rëndë kur i thua këto shprehje.

Gerti Çarçani: Jo, s’jam i rëndë fare. Hajde ta diskutojmë. Po përdor një shprehje brenda etikës, Memelli dhe Plori as nuk thanë as nuk lëshuan. E moderova pak. Pse e rrëzoi Xhaferi trajnerin Memelli dhe Plorin? Ata janë të detyruar të thonë që jemi për kampion. Unë mendoj se çfarëdo që të thonë letrat në Shkodër, janë të imponuar të thonë që janë për kampion. Nuk mundet dot asnjë trajner të vijë në Shkodër dhe të thotë që unë nuk jam për kampion. Unë kështu mendoj të paktën. Le të më kundërshtojë opinioni. Kam qëndrimin tim unë, pavarësisht se Starova po e kundërshton.

Sulejman Starova: Gerti po na bën lëmsh.

Gerti Çarçani: Jo, s’të bëra lëmsh fare. Mua më dha të drejtë presidenti Xhaferi. Si e sheh ti Starova tani?

Sulejman Starova: Po na bën rrëmujë.

Gerti Çarçani: Jo, s’ka rrëmujë këtu.

Sulejman Starova: Tani, i pari i punës është presidenti Xhaferi, gjithë stafi i presidentit dhe kush është tjetër aty. Ti të jesh i sigurtë që edhe presidenti Xhaferi e di situatën e vështirë për atë objektiv që ka, për të dalë kampion. Endrra e presidentit Xhaferi kjo është. Tani kjo do pak kohë. Këto në Shkodër po fillojnë gradualisht, duke qenë edhe të kujdesshëm. Argumenti ky është. Ambiciet e presidentit Xhaferi janë për të dalë kampion, sepse edhe pse ka kohë të shkurtër, e di rrugën për të dalë kampion. Tani, ti Gerti na fute në siklet.

Gerti Çarçani: Jo, këtu s’ka siklet fare. Zotëri, unë e mendoj dhe po them të njëjtën gjë që nuk “guxon” asnjë trajner që të shkojë në Shkodër dhe mos t’i thotë opinionit publik që unë kam ardhur për të mos dalë kampion. Nuk ndodh kurrë, kurrë. Rrëzojeni sa të doni. Mua më dha të drejtë presidenti Xhaferi. Të rrëzoi presidenti Xhaferi ty zotëri Starova. Kaq. Presidenti të rrëzoi ty. Alban Xhaferi rrëzoi dy vartësit e vet dhe tha i pari titulli më intereson mua.

Sulejman Starova: Po na provokon.

Gerti Çarçani: Jo ore, s’ka provokim. Për çfarë po shkon Memelli në Shkodër nëse nuk po shkon për titullin kampion. Për çfarë ka shkuar në Shkodër?

Sulejman Starova: Mos na e fut këtë frymë këtu.

Gerti Çarçani: Në Shkodër shkohet për të dalë kampion. Presidenti Xhaferi më dha të drejtë mua. Kaq. Nuk po bëj unë egoistin. Presidenti Xhaferi e “rrëzoi” Plorin dhe Memellin menjëherë. Starova se do të bëjë zbukurime dhe “color” për të ruajtur punën e tij, është gjë tjetër.


Sulejman Starova
: Po lëri tani këto fjalët e bukura ti.

Gerti Çarçani: Zotëri, në Shkodër Vllaznia është “mbret”. Ty të rrëzoi presidenti Xhaferi zotëri.

Sulejman Starova: Presidenti Xhaferi normal që do e thojë atë, sepse është president i Vllaznisë.

Gerti Çarçani: Po trajneri i kujt është? I Vllaznisë pra është.

Sulejman Starova: Po nuk i solle futbollistët trajneri, ai të thotë “mirupafshim” sa të vijë kampionati.

Gerti Çarçani: Ata, Memelli dhe Plori, nuk ishin as ashtu as kështu, as për Europë as për titull.


Sulejman Starova
: Tani për të qenë korrekt se ti e hape një orë këtu këtë diskutim.

Gerti Çarçani: Eshtë temë diskutimi mor Starova çfarë një orë thua?

Sulejman Starova: Unë dua të mbroj trajnerin Memelli, pasi ai nuk është se ka frikë për të thënë që dua të dal kampion.

Gerti Çarçani: Pse nuk e tha pra?

Sulejman Starova: More ka vështirësi. E kupton apo jo? Eshtë vështirësia maksimale o vëlla.

Gerti Çarçani: A kanë guxim të dalin ta kundërshtojnë Xhaferin? Ja të dalin ta kundërshtojnë. Ti mendon që do dalë trajneri Memelli nesër të kundërshtojë Alban Xhaferin. A je në terezi apo jo?

Sulejman Starova: Të ka kapur inati tani dhe do t’i qëndrosh tëndes.

Gerti Çarçani: Jo jo, s’kam inat fare. Ku e sheh inatin? Zotëri, ty të rrëzoi Alban Xhaferi. Të hodhi poshtë.

Sulejman Starova: Me sa e njoh unë presidentin Xhaferi, ai nuk tërhiqet nga buxheti për të nxjerrë skuadrën kampion. Ai hodhi gjithë ato para dhe dështoi. Tani, ai kur premton dhe thotë paratë i kam, nuk e di domethënë pse Vllaznia nuk del kampion.

Gerti Çarçani: Albani tha do dal kampion, po lërëni se nuk i vjen mirë Starovës. Nuk i vjen mirë, sepse e rrëzoi 100% Starovën me prononcimin e tij. Do dal kampion tha Albani. Edhe ky ngeli tani, se nuk i vjen mirë, është gjë tjetër. Lëre tani. Trajneri Memelli dhe drejtori Plori nuk guxuan ta thonin një gjë të tillë. Megjithatë, do jemi këtu.

Sulejman Starova; Ok Gerti, se unë nuk do të bie në provokimet e tua.

Gerti Çarçani: S’ka asnjë provokim. Unë i referohem deklaratave. Debatin do e vlerësojë publiku, sepse jemi gjithë kohës në transmetim. Unë jam kurioz nëse do të dalë ose trajneri Memelli ose drejtori Plori dhe të thonë jo nuk jemi për kampion.

Sulejman Starova: He mor tani, e ule pijacën.

Gerti Çarçani: Po lëre ti tani pijacën me këtë histori. E ule, e ngrite pijacën. Ty të rrëzoi presidenti Xhaferi. Tani ti thua e ule pijacën!
/Maringlen ZHIVANI/