Mesfushori shkodran, Arsid Kruja, në një intervistë, ka komentuar sezonin që lamë pas, garën për titullin, aventurën në Europë dhe gjithashtu është shprehur se Vllaznia në sezonin e ri do të jetë më konkurruese dhe e denjë për të shkuar drejt kampionatit.

Ai shpreh keqardhjen për moskalimin në turin e tretë në Konferencë Ligë dhe mundohet të japë një shpjegim për moskualifikimin më tej të kuqebluve. Në fjalën e tij, mesfushori shprehet se shpreson që afrimet të jenë të një niveli cilësor për të ndihmuar skuadrën.

A mund të arrinit më shumë në këto ballafaqime europiane apo kaq ishin forcat e kësaj Vllaznie?

Pavarësisht rezultatit, ne kemi zhvilluar ndeshje të mira si në Limasol edhe në Shkodër. Në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, mund të them se nuk kishim fatin me vete atë ditë, pasi krijuam disa herë raste për të shënuar.

Keqardhje që nuk arritët të kalonit në turin tjetër?

Keqardhje normalisht që ka, por ne do të vazhdojmë e do të mësojmë edhe prej gabimeve, në mënyrë që vitin tjetër inshallah të përfaqësohemi më mirë në Europë.

Çfarë nuk shkoi, sipas jush, që ndikoi për moskualifikimin?

Ne kemi dhënë maksimumin, por edhe eksperienca bën punën e vet. Mund të them se kishte gabime të vogla, por në përgjithësi klubi dhe qyteti janë të kënaqur me arritjet e ekipit në sezonin që përfundoi.

Si e pret Arsid Kruja Vllazninë e sezonit të ri?

E shikoj një Vllazni shumë më të fortë dhe një ekip që do të pretendojë të marrë çdo trofe, por gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë dhe duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe çdo kompeticion.

Po bëhen disa lëvizje në merkato. Sipas jush, ku ka nevojë kjo skuadër që të forcohet?

E rëndësishme është që ata lojtarë që vijnë, të jenë të dobishëm për ekipin dhe të na ndihmojnë me aftësitë e tyre. Duke ardhur lojtarë të rinj, normalisht që shtohet konkurrenca dhe kjo gjë e bën ekipin të jetë edhe më i fortë.

Mendoni se Vllaznia e këtij sezoni do të jetë më e fortë sesa e atij që përfundoi?

Unë personalisht them se edhe sezonin që kaloi, ne ishim ekip shumë, shumë i mirë. Sipas meje, meritonim titullin kampion. Unë shpresoj që në sezonin e ri të jemi edhe më të fortë, por kjo do të varet edhe nga afrimet që do të bëhen në ekip.