Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia rikthehet këtë fundjavë në stadiumin “Loro Boriçi”, vendin ku skuadra shkodrane ka treguar këtë sezon forcën më të madhe. Për kuqeblutë, ndeshjet si pritëse kanë qenë një armë e vërtetë, dhe rikthimi në shtëpi nuk vjen vetëm si një domosdoshmëri logjistike, por edhe si një moment psikologjik për skuadrën e drejtuar nga Edi Martini. Me tre ndeshje ende për të luajtur në Superiore, dy prej të cilave në “Loro Boriçi”, pritshmëritë janë të larta.
Statistikat flasin qartë: Vllaznia është thuajse e pathyeshme në Shkodër. Nga 48 pikët e mundshme në 16 ndeshje si pritëse, kuqeblutë kanë grumbulluar plot 41, duke treguar një stabilitet të jashtëzakonshëm. Vetëm Bylis në një barazim 1-1. Dinamo në një barazim 0-0 dhe Teuta me një sukses 0-1, kanë arritur të marrë një pikë në udhëtimet e tyre në veri. Duke e bërë humbjen ndaj durrsakëve të vetmen “njollë” në bilancin e shkodranëve si pritës këtë edicion.
Performanca në fushën e tyre ka qenë e shoqëruar edhe me shifra mbresëlënëse në aspektin golash. Vllaznia ka shënuar 26 gola dhe ka pësuar vetëm 8, duke treguar një raport të shkëlqyer mes ofensivës dhe mbrojtjes. Këto statistika nuk janë thjesht numra, por tregues të një kulture fitoreje që është ndërtuar në “Loro Boriçi” gjatë gjithë sezonit.
Kjo e shtunë sjell përballjen me Bylis, një nga tre skuadrat që ia kanë dalë të marrë pikë këtë sezon në Shkodër. Ky fakt e bën sfidën akoma më të rëndësishme, duke e kthyer atë jo thjesht në një duel për tre pikë, por në një test për të konfirmuar fortësinë e stadiumit dhe të ekipit para tifozëve të tyre besnikë.
Nga ana tjetër, motivimi në radhët e kuqebluve është maksimal. Stafi dhe futbollistët duken të gatshëm të japin maksimumin për të ruajtur “fortesën” e tyre. Atmosfera pozitive brenda skuadrës pavarësisht rezultateteve të fundit duket se nuk e ka ç’ekuilibruar ekipin. E po ashtu dhe mbështetja e tifozëve pritet të jenë një tjetër element vendimtar në këtë përballje.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


