Duket se në mbledhjet e Këshillit Bashkiak Shkodër nuk do ketë qetësi derisa problemet e sportit të vihen në rrugët e duhura për të gjetur zgjidhjet e duhura. Nëse në mbledhjen e rradhës së kaluar, një deklaratë e nënkryetarit Troshani para këshilltarëve, trazoi “ujërat” në ekip, çka çoi pastaj edhe në shkarkimin e Rudi Vatës nga posti I trajnerit, dje ka patur sërish debat. Këtë herë për njohjen e kontributeve të ish-donatorëve të Vllaznisë në vite. Këshilltari Erogen Brajoviç ka ngritur sërish shqetësimin e tij  se pse kërkesa e këtyre 6 donatorëve nuk vjen në Këshill ndonëse ka 4 muaj që është paraqitur? Për këtë pyetje, ai nuk ka marrë përgjigjen e duhur, madje nga kryetari I Këshillit Bashkiak Bardh Lohja, në njëfarë mënyre është anashkaluar një diskutim I tillë duke u justifikuar se atë gjë e dinë drejtuesit e Bashkisë. Kjo ka sjellë jo pak reagim tek këshilltarët e majtë të cilët duke e bashkuar këtë shqetësim të tyre, edhe me atë të “harresës” për ta shpërblyer peshëngritësin Erkand Qerimaj për arritjen në Kampionatin Europian ku zuri vendin e parë, e për rrjedhojë ata kanë braktisur për disa minuta mbledhjen. Me shumë siguri edhe mbledhja e ardhshme e këtij Këshilli do të shoqërohet nga të tjera debate për sportin, e kjo tregon se Shkodra është shumë e ndjeshme ndaj kësaj fushe, ndoshta më shumë se për çdo fushë tjetër të jetës

www.shkodrasport.com