Vllaznia ka nevojë për afrime cilësor në janar, në mënyrë që të arrijnë objektivat e saj, që është minimum kapja e një vendi, që e çon në Kupat e Europës. Por duket se këto kohët e fundit po bëhet shumë zhurmë sa i takon merkatos së janarit, pa të cilën nuk bëhet fjalë për t’u arritur asnjë objektiv, sado minimal qoftë ai, por duket se nuk ka as një orientim të qartë. Nisur nga kontaktet e deritanishme, të krijohet përshtypja se Vllaznia do t’i përqëndrojë “goditjet” e saj, në merkaton e janarit, në kampionatin shqiptar, por mund të jetë edhe krejt e kundërta. Nga sa mësohet, dhe ashtu siç e kemi pohuar 24 orë më parë, kuqeblutë po kërkojnë një qendër-mbrojtës “importi” dhe këtu bëhet fjalë për pistat e mundshme jashtë Shqipërisë. Kjo vërtetohet më së miri edhe nga fakti, se mësohet se u është refuzuar vlonjatëve huazimi deri në fund të sezonit të mbrojtësit Julian Brahja, që Flamurtari e ka afruar në këmbim të sulmuesit Xhevahir Sukajt, kuptohet se këtu do të shtohej edhe ndonjë shumë financiare, por jo apo prej 50 mijë eurosh. Refuzimi për Brahjen, është bërë me argumentin se do të kërkohet të sillet, në janar, një qendër-mbrojtës nga jashtë kampionatit tonë. Në këto kushte vihet në pikëpyetje shumë të madhe apo më mirë të themi, zbehet së tepërmi edhe pista për mbrojtësin e Tiranës Erjon Dushku. Ky i fundit luan në qendër të mbrojtjes dhe është projektuar për në vendin e malazezit Petroviç, që është një dështim i madh, deri tani, për shkodranët. Madje thuhet se Dushku pret të mbyllet faza e parë, për të parë reagimin e drejtuesve të Tiranës dhe më pas të “mësyjë” drejt Shkodrës, por duket se ky projekt mund të jetë i dështuar që tani, pa nisur mirë, pasi nëse drejtuesit e Vllaznisë mendojnë për një qendër-mbrojtës nga jashtë, atëherë edhe pista “Dushku”, bie poshtë menjëherë.
Mejdan Zhivani