HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia rigjen qetësinë në këtë fundvit, kuqeblutë shijojnë fitoren më të thellë...

Vllaznia rigjen qetësinë në këtë fundvit, kuqeblutë shijojnë fitoren më të thellë të sezonit

Vllaznia ka rigjetur qetësinë në këtë fundvit pas fitores shumë të rëndësishme me Teutën. Realisht, kuqeblutë duket se e kanë shijuar shumë trepikëshin ndaj durrsakëve.

Në fakt, duke qenë se, situata në ndeshjet e fundit ka qenë problematike dhe me rezultate negative rradhazi, ç’ka prodhoi edhe një tension “artificial” në skuadër, fitorja me Teutën duket se dha efektet e duhura.

Ndeshja e fundit ndaj durrsakëve ka stabilizuar humorin e ekipit dhe fitorja e fundit në Shkodër duhet marrë si vlerë e shtuar ndaj një Teute që një javë më parë fitoi edhe ndaj Tiranës dhe me rikthimin e Edi Martinit në krye të pankinës, po tregon se në vazhdimësi do të jetë një forcë e rëndësishme në kampionat.

Qetësia që kishte pushtuar klubin duket se i ka bërë mirë fushës së lojës. Fillimi i sezonit ishte shumë entuziast dhe drejtuesit ndoshta kaluan në eufori, duke trumbetuar objektiva të mëdha. Megjithatë, nga ana tjetër trajneri Mirel Josa ka pranuar se një nga arsyet e rezultateve jo të mira ka ardhur edhe si pasojë e disa gabimeve të bëra në merkaton e verës, sidomos në vijën e parë të sulmit.

Tashmë, Vllaznia ka vendosur që të heqë dorë nga deklarimi i objektivave dhe në vazhdimësinë e kampionatit, të menaxhojë me kujdes situatat dhe rezultat, në mënyrë që diçka të korrigjohet në merkato dhe ekipi ta rifillojë 2023-shin me një marsh tjetër.

Realisht, në mesin e muajit janar duhet menduar dhe projektuar një rikthim me një mision krejt tjetër. Pikërisht, atë të ecurisë pozitive nga javë në javë për të kapur rivalët në kreun e tabelës së klasifikimit.

Në vazhdim, rezultatet do të jenë më të rëndësishme se loja dhe Vllaznia duhet ta shijojë me sa mundet këtë fitore kaq të thellë, që nuk e kishte pasur asnjëherë gjatë këtij sezoni.
Maringlen ZHIVANI

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments