Vllaznia ka rigjetur qetësinë në këtë fundvit pas fitores shumë të rëndësishme me Teutën. Realisht, kuqeblutë duket se e kanë shijuar shumë trepikëshin ndaj durrsakëve.

Në fakt, duke qenë se, situata në ndeshjet e fundit ka qenë problematike dhe me rezultate negative rradhazi, ç’ka prodhoi edhe një tension “artificial” në skuadër, fitorja me Teutën duket se dha efektet e duhura.

Ndeshja e fundit ndaj durrsakëve ka stabilizuar humorin e ekipit dhe fitorja e fundit në Shkodër duhet marrë si vlerë e shtuar ndaj një Teute që një javë më parë fitoi edhe ndaj Tiranës dhe me rikthimin e Edi Martinit në krye të pankinës, po tregon se në vazhdimësi do të jetë një forcë e rëndësishme në kampionat.

Qetësia që kishte pushtuar klubin duket se i ka bërë mirë fushës së lojës. Fillimi i sezonit ishte shumë entuziast dhe drejtuesit ndoshta kaluan në eufori, duke trumbetuar objektiva të mëdha. Megjithatë, nga ana tjetër trajneri Mirel Josa ka pranuar se një nga arsyet e rezultateve jo të mira ka ardhur edhe si pasojë e disa gabimeve të bëra në merkaton e verës, sidomos në vijën e parë të sulmit.

Tashmë, Vllaznia ka vendosur që të heqë dorë nga deklarimi i objektivave dhe në vazhdimësinë e kampionatit, të menaxhojë me kujdes situatat dhe rezultat, në mënyrë që diçka të korrigjohet në merkato dhe ekipi ta rifillojë 2023-shin me një marsh tjetër.

Realisht, në mesin e muajit janar duhet menduar dhe projektuar një rikthim me një mision krejt tjetër. Pikërisht, atë të ecurisë pozitive nga javë në javë për të kapur rivalët në kreun e tabelës së klasifikimit.

Në vazhdim, rezultatet do të jenë më të rëndësishme se loja dhe Vllaznia duhet ta shijojë me sa mundet këtë fitore kaq të thellë, që nuk e kishte pasur asnjëherë gjatë këtij sezoni.
Maringlen ZHIVANI