Vllaznia e femrave ka mbyllur rrugëtimin e saj në Champions League. Në ndeshjen e fundit, ajo u përball me Real Madridin, ku humbi me rezultatin 5-1. Edhe pse, ndeshja filloi me një supergol të Megi Doçit, duke ekzektuar mjeshtërisht një goditje dënimi në minutën e pestë, superioriteti i vajzave të Real Madrid u pa qartë gjatë gjithë 90-minutave.

Vajzat kuqeblu besuan deri në fund për të shënuar qoftë edhe një gol në këtë aventurë të Champions League dhe ia arritën qëllimit të tyre. Shkodranet treguan karakter, por vetëm kaq nuk mjaftonte, pasi goleada e Realit të Madridit i nxorri jashtë loje. Realisht, ekipi i Nikolin Lekës ishte padiskutim një nga surprizat më të bukura të këtij viti.

Vllaznia e arriti synimin e saj që me kualifikimin në fazën e grupeve, duke qenë se është skuadra e parë shqiptare që mbërrin në këto nivele, prandaj edhe largohet krenare dhe me kokën lart nga gara në fazën e grupeve të UEFA Women Champions League.

Ndeshje pas ndeshje, Vllaznia erdhi duke e rritur nivelin dhe performancën e saj në fushën e lojës, teksa duhet thënë se përballë kishte ekipe me buxhete të larta financiare, siç ishin Çelsi, PSG dhe Real Madrid. Megjithatë, e rëndësishme është që Vllaznia shkoi aty ku i takon, në majën e futbollit botëror dhe arriti të realizojë objektivin kryesor, pjesëmarrjen në grupet e UEFA Women Champions League.

Në fakt, për Vllazninë kjo është një mbyllje me kokën lart, sepse me përvojën e fituar në gjashtë ndeshjet e zhvillura ndaj skuadrave të Çelsit, PSG dhe Real Madrid, ecuria e vajzave kuqeblu në Europë pritet të jetë edhe më e mirë në të ardhmen. Realisht, Vllaznia mbetet skuadra më e mirë e femrave në Shqipëri dhe vit pas viti po përfaqëson denjësisht Shkodrën dhe ngjyrat e flamurit tonë në kompeticionet europiane.
Maringlen ZHIVANI