Vllaznia është kthyer te fitorja pas shumë luhatjeve në ndeshjet e fundit. Shkodranët fituan në shifrat 4-0 ndaj Teutës së Edi Martinit, me këta të fundit që vinin nga një formë e mirë.
Ndërkohë, pas ndeshjes me durrsakët, në intervistën e trajnerit të Vllaznisë, Mirel Josa, për mediat lokale shkodrane, i pyetur nga “Shkodra Sport” në lidhje me merkaton e janarit, ai tha se klubi kuqeblu duhet të punojë fillimisht në dalje me disa prej futbollistëve të organikës aktuale dhe pastaj duhet të punojë në hyrje se çfarë lojtarësh do të mund të afrohen.
“Merkato e janarit? Vllaznia duhet të punojë njëherë në dalje, pastaj të punojë në hyrje se çfarë futbollistësh do të na vijnë. Kështu që, do t’i shohim të gjitha me rradhë.
Mund të ketë largime? Të shikojmë. Problemet do diskutohen me klubin. Kemi bërë disa diskutime. Diskutimet kanë qenë shumë përciptazi. Kështu që, duhet të vendosim pikat mbi i të gjithë se ku jemi dhe se çfarë kërkojmë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI