Trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka, mendon se është normale të humbësh ndaj Realit të Madridit, duke parë disnivelet dhe diferencën midis ekipeve që kishin në fushën e lojës. Në konferencën për shtyp pas kësaj ndeshjeje, tekniku shkodran, duke folur për këtë përballje, vlerësoi Realin për nivelin dhe për lojën që zhvilloi.
Poashtu, ndër të tjera, trajneri Leka tha se Vllaznia ka marrë një përvojë pozitive në ballafaqimin me emrat e mëdhenj që ka në grup, e cila do t’i shërbejë për një pjesëmarrje më dinjitoze sezonin e ardhshëm në UEFA Women Champions League.
Trajneri shkodran u shpreh se është i kënaqur nga loja që bënë vajzat në ndeshjen e fundit ndaj Realit, ndërsa theksoi se pjesëmarrja në fazën e grupeve të Champions League, ishte shumë e vështirë për ekipin e Vllaznisë në futboll për femra.
Faza e grupeve – Ne e kemi thënë gjithmonë që kjo fazë grupesh ku kemi hyrë është një kompeticion shumë i vështirë për ekipin tonë. Diferencat dihen midis ekipeve, sidomos në grupin tonë që ishte grupi më i fortë. Ishte grup ferri, por në përgjithësi në gjithë këto ndeshje kemi fituar përvojën e duhur që ta kemi në vazhdimësi.
Ndeshja me Realin – Njëherë, në rradhë të parë duhet të përgëzoj këto vajza për grintën, për dëshirën që kanë treguar në fushën e lojës. Padiskutim që, të luash kundër Realit dhe të kesh edhe mungesa, nuk është diçka e vogël, duke ditur diferencat që janë midis ekipeve. Megjithatë, mbi të gjitha, vajzat treguan karakter në fushën e lojës. Humbja nuk është asnjëherë e bukur, nuk pëlqehet, por kur humb me dinjitet, sikur të jep shpresa për vazhdimësinë.
Kënaqësia e shënimit të golit – Të them të drejtën, duhet të përgëzoj këto vajza. Duhet të përgëzoj Megin dhe të gjitha shoqet e saj për grintën që treguan në fushën e lojës. Pra, nuk u dorëzuan për asnjë moment, edhe pse i pësuam këto gola, ne nuk u dorëzuam. U munduam të bënim gjithçka dhe më të mirën, por diferencat bëjnë punën e vet në fushën e lojës.
Nota në grupet e Champions League – Tani unë nuk e di se çfarë mund të thotë opinioni, por për mua si trajner dalim me nota pozitive nga ky kompeticion. E thashë edhe më përpara, humbjet nuk janë asnjëherë të bukura, por kur humbet me këto lloj ekipesh, por duke treguar vlerat që kemi ne, them që kemi dalë me nota pozitive.
Eksperienca e parë në grupet e Champions League – Në këtë kompeticion kemi mësuar shumë të gjithë dhe do të na shërbejë shumë për të ardhmen. Ky gol është një shtysë, të bën të ndjehesh mirë dhe të bën me pozitivitet. Normalisht, të bën për të punuar shumë për të ardhmen. Unë mendoj që në këtë fazë grupesh, kemi fituar përvojën e duhur që ta kemi për vazhdimësinë dhe me disa afrime cilësore, normalisht që shumë shpejt shumë skuadra, edhe mund t’i konkurrojmë.
E ardhmja – Ne do të fillojmë gjithçka hap pas hapi. Pra, kemi ardhur në fazën e grupeve dhe dëshirojmë mos ta lëshojmë një gjë të tillë edhe vitet në vazhdim. Gjithçka mund të ndodhë, por ne do të punojmë fort që të jemi vitin e ardhshëm në fazën e grupeve.
Mbështetja nga presidenti Lazër Matija – Padiskutim që, është e nevojshme që të çohet futbolli shqiptar më përpara. Ne e kemi thënë edhe herë të tjera që një njeri i vetëm siç është Lazër Matija, nuk është në gjendje ta mbajë për shumë kohë në nivele shumë të larta.
Mbështetje nga qeverisjet për të mirën e futbollit shqiptar – Realisht, presidentit Matija duhet t’i themi bravo për punën e palodhshme që bën, për investimet që ka bërë që sa vite, por që të ecim përpara, janë investimet, infrastruktura dhe mbështetja nga të gjitha anët që futbolli, të ecin përpara në Shqipëri. Ne duhet të kemi mbështetje që të ecim përpara. Pra, me një person dhe kemi shkuar deri këtu. Po sikur, të bëhen të gjithë bashkë, çfarë mund të bëhet.
Maringlen ZHIVANI