Skuadra kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj- Vllaznia e Shkodrës, rrezikon pjesmarrjen në edicionin e dytë rradhazi të Ligës Ballkanike. Arsyeja është mungesa e financave për të mundësuar këtë pjesmarrje. E kemi fjalën për pagesën e shumës prej 15 mijë eurosh që duhet paguar në llogarinë e kësaj Lige për pjesmarrjen në këtë aktivitet. Lajmi konfirmohet  nga drejtues të shoqatës së Vllaznisë. Sipas tyre, nëse edicionin e kaluar, kjo shumë u mundësua nga Federata Shqiptare e Basketbollit, këtë vit ajo duket se nuk e ka marrë parasysh. Nga ana tjetër ka patur shpresa se do të merrej përsipër nga Bashkia Shkodër por rrokada në krye të këtij institucioni dhe për më tepër mosnisja ende e punës nga kryetarja e re, ka bërë që të mos ketë asnjë garanci për këtë pagesë.


Në këto kushte, pjesmarrja është në dyshim për të mos thënë se ekzistojnë pak shanse që Vllaznia për të dytin vit rradhazi të jetë pjestare e kësaj Lige. Ditë më parë ndërkohë u fol për një mundësi pjesmarrje edhe e Tiranës por kjo duket e pamundur sepse edhe klubi kryeqytetas ka këtë pengesë: pagesën e 15 mijë eurove të pjesmarrjes. Buxheti i ekipeve tona është shumë i vogël dhe kuptohet që në rastin e Vllaznisë, presidenti i shoqatës Sokol Dibra ka bërë të mundur marrjen e 3-4 lojtarëve të huaj, ka marrë përsipër shpenzimet jo të pakta që duhen për udhëtimet në ndeshjet e Ligës Ballkanike etj por natyrisht që nuk merr përsipër pagesën e shumës së pjesmarrjes në Ligën e ekipeve të Ballkanit. Nëse nuk ka ndonjë ndërhyrje të Bashkisë Shkodër në momentet e fundit, Vllaznia sivjet nuk do të marrë pjesë në këtë eveniment.
Gjergj KOLA