Vllaznia do të ketë në dispozicion 70 milionë lekë të vjetër premio në rast kualifikimi në turin e tretë të Ligës së Europës.

Fillimisht drejtuesit kishin vënë në dijeni ekipin se shpërblimi do të ishte 50 mijë euro, por më pas, në komunikimin e fundit që kanë pasur, “Panorama Sport” zbulon se shifra e fiksuar tashmë përfundimisht është në lekë dhe bëhet fjalë për 70 milionë lekë të vjetër.

Natyrisht, diferenca nga 50 mijë euro në 70 milionë është diku te 12 milionë lekë të vjetër më tepër për kuqeblutë, në krahasim me premtimin e parë që iu bë skuadrës.

Vlen të theksohet se në rast eliminimi, sërish klubi Vllaznia del nga Europa me një bonus jo të vogël, pikërisht 450 mijë euro, që UEFA i jep për pjesëmarrjen në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Në ndryshim nga ekipet e tjera shqiptare, Vllaznia e nisi përfaqësimin në turin e dytë jo nga raundi i parë.