Vllaznia në volejboll për meshkuj ka arritur edhe fitoren e tretë në kupën e Shqipërisë. Në ndeshjen e rradhës të luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, ajo ka fituar me rezultatin 3-0 ndaj Skënderbeut të Korçës. Me këtë fitore, tashmë edhe zyrtarisht shkodranët e shohin veten në gjysmëfinale të Kupës ndonëse kanë për të luajtur edhe një takim tjetër në grup, pikërisht ndaj Elbasanit. Por pavarësisht rezultatit të tij, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi, kanë siguruar daljen në turin tjetër. Përballja me korçarët ka qenë vendimtare për këtë gjë. Vllaznia në fakt nuk e ka patur aspak të vështirë ta fitojë atë. Seti I parë është mbyllur në shifrat 25 me 14 dhe me të njëjtin rezultat është mbyllur edhe seti I dytë.

Në të tretin ndërkohë janë fiksuar shifrat 25 me 17 dhe në këtë mënyrë, me rezultatin e përgjithshëm 3-0 volejbollistët shkodranë kanë fituar krejt ndeshjen dhe kanë siguruar vendin e parë në grupin e dytë. Tashmë ata janë duke pritur të mësojnë se kush do të jetë kundërshtari I tyre në gjysmëfinale. Përcaktuese do të jetë ndeshja në mes ekipeve të Studentit dhe Farkës. Kush do të fitojë, do të luajë përballë Vllaznia në turin tjetër. Natyrisht që kuqeblutë kanë objektiva për të kaluar edhe këtë kundërshtar dhe për të siguruar finale ku me shumë të ngjarë do të ndeshen me skuadrën më të mirë të momentin në volejbollin shqiptar, Partizanin.  Kuptohet që shkodranët kanë objektiv fitoren e këtij trofeu këtë sezon, trofe që do të vinte pas shumë vitesh në këtë qytet. Hera e fundit që ata e kanë fituar Kupën ka qenë viti 1989, periudhë kur pjesë e këtij ekipi ishte Mark Kroqi. Tashmë ky njeri ka marrë përsipër të rikthejë sërish trofetë tek Vllaznia por këtë herë në rolin e trajnerit dhe duhet parë nëse do ia arrijë apo jo.

www.shkodrasport.com