Me ndeshjet e sotme, të vlefshme për javën e nëntë, është mbyllur faza e parë e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave. Në përfundim ë këtyre ndeshjeve, Vllaznia kampione në fuqi padyshim që ka spikatur sërish dhe jo vetëm që është shpallur “kampione dimri” por duket shumë e sigurtë drejt shpalljes kampione e vendit për të katërtën herë rradhazi. Kjo ngaqë diferenca aktuale me ekipin e vendit të dytë që mbahet nga Apolonia, është 5 pikë. Në ndeshjet e sotme, vajzat kampione kanë arritur një fitore shumë të thellë, 20-0 ndaj ekipit tjetër të Shkodrës- The Door. Protagonistet kryesore të këtij suksesi kanë qenë dy sulmueset, Uendi Muja dhe Megi Doçi që sëbashku kanë shënuar 19 gola!!! Muja ka qenë autore e 12 golave ndërsa Doçi e ka dërguar topin në rrjetën kundërshtare 7 herë.

Kjo e fundit gjithsesi është golashënuesja më e mirë e kampionatit deri tani me 37 gola, e ndjekur nga shoqja e saj e ekipit- Muja, me 32 gola të shënuar. E nëse Vllaznia dallohet për golashënueset, natyrisht që ajo dallohet edhe për lojën në mbrojtje. Këtë e tregon më së miri fakti se në nëntë ndeshje të zhvilluara, nuk ka pësuar ende asnjë gol prandaj golaverazhi është fantastik: 92-0. Shifra këto të denja për librin “Guiness”, për këtë ekip që ka katër vite pa njohur ende shijen e humbjes. Natyrshëm që edhe në fazën e dytë ekipet kundërshtare do ta kenë shumë të vështirë ta rivalizojnë dhe gara e vetme për Apoloninë, Kinostudion, Tirana AS Dhe Juban Danja, është se kush do ia shënojë golin e parë këtij ekipi sepse për ta mundur duket se nuk bëhet fjalë. Presidenti Matija ka ndërtuar një skuadër model me të cilën kuptohet që nuk e ka mendjen tek kampionati shqiptar por tek përfaqësimi dinjitoz në Ligën e Kampioneve.

© shkodrasport.com