Kalendari i javës së dytë të kampionatit të volejbollit për femra, ka planifikuar një duel shumë të rëndësishëm. Kështu, bëhet fjalë për sfidën Vllaznia-Skënderbeu, e cila do të luhet të premten në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke nisur nga ora 16:00.
Në fakt, ndeshja në fjalë ka qenë e planifikuar më herët, që të luhej në orën 17:00. Megjithatë, duke qenë se në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 17:45 po të premten, do të luhet edhe ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit, ka pasur një ndryshim në orar. Një gjë e tillë ka ardhur edhe me marrëveshjen mes dy klubeve të Vllaznisë dhe Skënderbeut, por edhe të FSHV. Kështu, kjo sfidë është vendosur të luhet një orë më herët, pra në orën 16:00.
Në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, pritet të përballen dy ekipe të forta të këtij sezoni, teksa spektakli është i garantuar në këtë sfidë. Në fakt, Vllaznia e nisi kampionatin me humbje, teksa u mund në javën e parë nga Partizani në transfertë me rezultatin 3-1, ndërsa skuadra e Skënderbeut vjen në këtë ballafaqim të javës së dytë pas fitores me Tiranën me rezultatin 3-0.
Ndeshja e së premtes në “Qazim Dervishi” mund të jetë një test serioz për të dyja skuadrat, kryesisht për Vllazninë, nëse vërtetë është një skuadër pretendente për titull, siç në fakt edhe është deklaruar përpara fillimit të kampionatit apo jo. Kjo mbetet për t’u parë, duke nisur nga kjo javë ndaj Skënderbeut.
Maringlen ZHIVANI