Te Skënderbeu po shohin dritë. Pasi siguruan të parën fitore në kampionat, tashmë kanë vetëm një mision: të mos ndalen. Këtë e thotë edhe Belajdi Pusi, autori i një prej golave kundër Luzit 2008. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se tashmë janë më të qetë në aspektin psikologjik.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne e nisëm mirë dhe në pjesën e parë kemi krijuar shumë raste për shënim, por nuk kemi arritur dot të finalizojmë. Luzi ishte një ekip i mirëvendosur në fushë dhe me daljen e parë të rrezikshme na ka shënuar duke kaluar në avantazh.

Në pushimin e pjesës së parë, trajneri na foli duke na kërkuar të bënim shumë më shumë dhe në pjesën e dytë ka qenë një ekip me një tjetër fytyrë në fushë. Bëmë një gol të shpejtë dhe kjo na dha krah. Mendoj se ky trepikësh do të na vlejë shumë edhe në anën psikologjike. Kishim një ngërç dhe kjo fitore ishte më shumë për moralin. Besoj që gjërat do të ecin drejt”, theksoi Pusi. I ndalur te niveli i kampionatit, sulmuesi shkodran kërkon të mos shpërqendrohet në emra ekipesh, por vlerëson maksimalisht çdo ekip kundërshtar.

“Ne nuk duhet të shohim emrat, por të përqendrohemi te qëllimi ynë. Normalisht për këtë na duhet pak kohë të përshtatemi, pasi ndryshon shumë Superiorja me nivelin e Kategorisë së Parë. Kjo, duke nisur nga fushat, që janë të vështira dhe na penalizojnë në lojën tonë. Ne duhet të luajmë fort, gjë që po e bëjmë. Të jemi sportivisht agresivë dhe të marrim tri pikët në çdo ndeshje.

Vetëm kështu arrihet objektivi. Ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës pavarësisht se nëse u referoheni dy takimeve, unë them se na duhen gjashtë pikë. Do të shohim vetëm Burrelin e më pas të mendojmë për Tomorin. Superiorja na mungon, por jemi të fokusuar këtu dhe do të bëjmë mirë për ta ngjitur Skënderbeun sërish atje në fund të këtij sezoni. Asnjë nga ‘punëtorët’ e Skënderbeut nuk e meriton të jetë në këtë kategori. Por për momentin le të përqendrohemi këtu dhe të mos e mendojmë Superioren”, përfundoi Pusi.