Vllaznia ka nisur që nga e diela përgatitjet për sfidën e rradhës në kampionat, përballë Partizanit në shtëpi. Shkodranët e trajnerit Mirel Josa do të futen në këtë sfidë, duke kërkuar vetëm fitoren, për t’i parakaluar të kuqtë në renditje. Tri javë nga fundi i fazës së parë dhe kur kanë mbetur pa luajtur sfidat me Partizanin, Laçin dhe Bylisin në “Loro Boriçi”, Vllaznia do të kërkojë ecurinë pozitive.

Megjithatë, për këto tre ndeshje mund të ketë edhe probleme dëmtimi në ekip. Kështu, mesfushori kosovar i Vllaznisë, Liridon Latifi, ka disa ndeshje që po mungon. “Shkodra Sport” ka mësuar se mesfushori anësor ka probleme me kaviljen, teksa është në fazë riaftësimi.

Prej javës së dytë ndaj Kukësit, ai ka ndier dhimbje, ndërsa stafi nuk ka dashur që të rrezikojë me kosovarin. Kështu që, është detyruar të qëndrojë jashtë skuadrës.

Stafi, me në krye trajnerin Mirel Josa, shpreson që ta ketë gati për sfidën e parë të fazës së dytë me Erzenin në shtëpi, por pse jo edhe më parë, nëse do të bëhet i mundur rikuperimi i tij.
Maringlen ZHIVANI