Te Vllaznia janë të gjithë në pritje të zhvillimeve që do të prodhojë merkatoja e janarit. Fillimisht, në klub po mundohen që të mbyllin marrëveshjen me futbollistët që nuk shihen më si pjesë e projektit për vazhdimësinë te shkodranët.

Nëse nuk do të zyrtarizohen largimet brenda së paku javës së parë të janarit, atëherë gjasat janë që të mos ketë më të larguar. Gjasat janë që të ketë largime, pasi pikërisht një pjesë e grupit të futbollistëve shihen si shkaktarët kryesorë të situatës ku ndodhet skuadra.

Burime në klub tregojnë për “Shkodra Sport” se me futbollistët pritet të gjendet gjuha e përbashkët, në mënyrë që palët të mos i kenë detyrime njëra-tjetrës, për shkak se klubi u druhet gjyqeve në të ardhmen.

Për hir të së vërtetës, që në momentin kur Alban Xhaferi është shpallur zyrtarisht president i kuqebluve, Vllaznia është një nga klubet më të kujdesshme sa u përket kontratave me futbollistët, pasi nuk ka pasur asnjë rast kur futbollistët i kanë hedhur në gjyq.
Maringlen ZHIVANI