Egzon Belica është i preferuari i drejtuesve të Vllaznisë për të forcuar mbrojtjen. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin shkodran, se kanë nisur bisedimet me 32-vjeçarin, teksa shpresohet në arritjen e një marrëveshjeje.

Belica vjen pas aktivizimit në sezonin e fundit me klubin e Prishtinës, duke e mbyllur me fitimin e Kupës së Kosovës. Kontrata e tij me skuadrën më të trofshme në “dardani” përfundon këtë muaj. Për të bindur qendërmbrojtësin, drejtuesit kuqeblu kanë futur “shkes” edhe dy lojtarët aktualë të Vllaznisë: Esin Hakajn dhe Esat Malën, të cilët janë miq të ngushtë të lojtarit nga Struga që nga koha kur ishin të tre pjesë të Partizanit.

Mbrojtësi ka arritur të fitojë titullin kampion me “demat”, ndërsa në karrierën e tij ka pasur eksperienca në Maqedoninë e Veriut, Rumani, Finlandë dhe Letoni me skuadra si Shkëndija e Tetovës, Rabotniçki, Konkordia, Inter Turku dhe Riga.

Mësohet se bisedimet janë në rrugë të mbarë, por mbeten disa detaje për t’u sqaruar që të konkretizojnë marrëveshjen, duke veshur kuqeblu Belicën. Në të njëjtën kohë, klubi ka pasur negociata edhe me mbrojtësin që mbylli sezonin me Kukësin, Altin Bytyçi. Nga klubi verilindor kuqeblutë janë të interesuar edhe për shërbimet e kapitenit Gjelbrim Taipi.

Ndërkohë, pas zyrtarizimit të Ildi Grudës, në orët në vijim, Vllaznia do të konfirmojë edhe marrëveshjen me sulmuesin tjetër, Darko Dodev, i cili vjen pas aktivizimit me Bregalnicën e Shtipit në Maqedoninë e Veriut.

Largimet e disa titullarëve detyrojnë klubin të ndërhyjë në merkato, jo vetëm për të plotësuar vendet e lëna bosh, por edhe të dublojë të gjitha pozicionet. Koha nuk është në favor, pasi skuadra luan ndeshjen e parë në Europë më 13 korrik.