Ditën e sotme do të luhet “Klasikja e Shqipërisë”, pikërisht sfida që po pritet me interes të madh nga opinioni sportiv shqiptar, Tirana-Vllaznia.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 13:00. Kjo është përballja e dytë mes dy skuadrave pretendente për titull për këtë kampionat, teksa në fazën e parë, Vllaznia fitoi ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi” me shifrat 1-2.
Tirana vjen pas një fitoreje minimale me Egnatian, teksa në 11-javë të luajtura deri më tani, bardheblutë kryesojnë renditjen e klasifikimit, në kuotën e 21-pikëve. Ndërkohë, edhe Vllaznia vjen pas fitores minimale me Kukësin. Shkodranët renditen në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit, tre pikë larg Tiranës kryesuese.
Edhe pse është ende herët, kjo ndeshje do të tregojë deri diku se çfarë mund të bëjnë këto dy skuadra në vazhdimin e sezonit. Në fakt, shkodranët janë çliruar psikologjikisht nga fitorja ndaj Kukësit një javë më parë dhe tashmë, skuadra e Josës pritet të shprehet më mirë sot në fushë. Mungesa e madhe për Vllazninë është ajo e Liridon Latifit për shkak dëmtimi.
Sa i takon formacioneve, Tirana pritet ta nisë me skemën 4-1-4-1, duke filluar me Bekaj në portë. Më pas, Toshevski, Behiratche, Najdovski dhe Përgjoni. Në mesfushë Aleksi përpara mbrojtjes, teksa më të avancuar do të jenë Hasani, Kallaku, Limaj dhe Ismailgeci, në mbështetje të sulmuesit të vetëm Redon Xhixha.
Nga ana tjetër, Vllaznia do të ketë të njëjtin rreshtim si në Kukës, pikërisht me skemën 4-3-3. Zogoviç do të vijojë të jetë në mes të katërkëndorit, ndërsa kapiteni Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakaj do të formojnë “digën” përpara tij. Në mesfushë duket se do të jetë treshja Jonuzi, Boshnjaku dhe Alivoda. Në sulm, përkrah Malës dhe Markut në krahë, Aralica do të jetë titullar në maje.
“Klasikja e Shqipërisë” Tirana-Vllaznia, e vlefshme për javën e 12-të të Abissnet Superiore, do të luhet në orën 13:00 të ditës së sotme, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/
Tirana-Vllaznia, formacionet e mundshme
Tirana (4-1-4-1): Bekaj, Toshevski, Behiratche, Najdovski, Përgjoni, Aleksi, Hasani, Kallaku, Limaj, Ismailgeci, Xhixha Tr: Orges Shehi
Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Aralica, Marku Tr: Mirel Josa