Tjetër fitore në ndeshjet miqësore për ekipin e Vllaznisë. Ka ndodhur kështu edhe në ndeshjen e luajtur pasditen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Besës së Kavajës. Rezultati përfundimtar I fiksuar në fund të këtij 90 minutëshi ka qenë 3-0 për kuqeblutë. Duket se gjërat në pamje të parë shkojnë mirë për këtë skuadër 10 ditë para nisjes së kampionatit të ri megjithatë trajneri Canaj vazhdon të jetë kërkues gjithnjë e më shumë si për përforcime me lojtarë ashtu edhe për përmirësimin e lojës.  Ndeshja e drejtuar nga një treshe gjyqtarësh shkodranë me kryesor Ditmar Jubicën, një nga më të mirët e Superligës dhe me ndihmësit e tij Dritan Salaj dhe Sonil Zeka, është ndjekur me interes nga një numër I konsiderueshëm tifozësh. Në pjesën e parë të ndeshjes, trajneri Canaj ka aktivizuar lojtarët që mendon t’I aktivizojë si titullarë. Në krahasim me ndeshjen e mëparshme ka patur sërish një ndryshim, pikërisht në repartin e mbrojtjes. Këtë herë, veterani Beqiri është aktivizuar jo në qendër të këtij reparti por në krahun e djathtë. Në vend të tij në qendër ka luajtur Kraja I cili është duke treguar një formë të mirë sportive dhe e kërkon me forcë një vend në formacion si titullar. Gjatë kësaj pjese loje, Besa e ka filluar më mirë lojën. E ka kontrolluar topin në 20 minutat e para por më pas është Vllaznia që ka luajtur më mirë. Një ndryshim në vendosje I trajnerit Canaj me spostimin e Gocajt pas sulmuesit kryesor, I ka dhënë më shumë hapësira në krah Hajdarit dhe kjo ka dhënë efektin e vet tek kuqeblutë. Ajt kanë arritur të shënojnë edhe dy gola. I pari ka patur për autor Arsen Hajdarin në minutën e 30-të të ndeshjes ndërsa I dyti është shënuar nga mbrojtësi Elvin Beqiri. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 2-0 për skuadrën shkodrane. Në të dytën të dy trajnerët kanë bërë ndryshime të shumta në formacion. Edhe pas këtyre ndryshimeve të bëra, skuadra shkodrane ka dominuar në fushë ndaj një kundërshtari që ka lënë shumë për të dëshiruar me lojën e tij. Në këtë pjesë, ka patur edhe një tjetër gol për Vllazninë me anë të mesfushorit Bekim Dema që ka gjuajtur saktë nga jashtë zone me të majtën e tij dhe në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja ka përfunduar me rezultatin 3-0 për të. Një ndeshje që tregoi se kuqeblutë janë çdo ditë e më tepër në rritje sa I takon formës së tyre ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Besën. Lojtarët e saj shfaqën shumë probleme fizike dhe kjo mund të ndikojë ndoshta edhe në javët e para të kampionatit. E kundërta mund të thuhet për futbollistët shkodranë që treguan se kanë ardhur thuajse në formën e tyre më të mirë. Megjithatë duhet pritur ndeshja e parë e kampionatit për të parë në fushë Vllazninë e vërtetë.
Vllaznia- Besa 3-0
Vllaznia: Vujadinoviç, Beqiri, Sykaj, Kraja, Semina, Gocaj, Bardulla, Ramadani, Shtubina, Hajdari, Gjini. Tr: A. Canaj. U aktivizuan edhe Neziri, Tafili, Belisha, Dema, Vidoviç, Kruja, Rexha, Dibra, Baci, Vecaj, Guri, Balaj.
Besa: Bejtja, Sima, Hoxha, Ramadani, Stafa, Batha, Muça, Fejzullau,  Mustafa, Berisha, Miliç. Tr: R. Shehu. U aktivizuan edhe Maxhuni, Poçi, Dita, Bajaziti, Çelhaka, Krasniqi
Shënues: Hajdari 31’, Beqiri 38’, Dema 70’
Gjyqtarë: D. Jubica, D. Salaj, S. Zeka (Shkodër)