Vllaznia U-21 ka marrë një tjetër fitore në kampionat. Paraditën e sotme, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Elvis Plori kanë luajtur në Kamëz ndaj ekipit të Dinamos dhe kanë fituar me rezultatin e thellë 0-5.
Vetë rezultati tregon më së miri për epërsinë që ata kanë patur në fushën e lojës ndaj kundërshtarit. Fillimisht, ka qenë një autogol që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 12-të.
Ndërkohë, gjashtë minuta më vonë ka ardhur edhe goli i dytë i shënuar nga futbollisti Albi Shpuza. Poashtu gjatë pjesës së parë, do të shënonte edhe mesfushori Elidon Dulaj dhe në këtë mënyrë, kjo pjesë do të mbyllej në shifrat 0-3.
Ndërkohë, në pjesën e dytë do të shënoheshin edhe dy gola të tjerë, me autorë Arval Maliqin dhe Mirsad Zahin dhe në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja është mbyllur me rezultatin 0-5. Tashmë, Vllaznia U-21 është ngjitur në kuotën e 33-pikëve, duke mbajtur kreun e renditjes, vetëm pesë pikë larg Bylisit ndjekës. Në fakt, kuptohet që ekipi shkodran ka bërë detyrën duke luajtur mirë dhe duke fituar në mënyrë për të arritur synimet e tyre që janë fitimi i titullit kampion.
Vllaznia U-21 vijon serinë e rezultateve pozitive dhe padyshim që pretendon të jetë ekipi më i mirë i kampionatit. Gara sa vjen e i drejtohet fundit dhe futbollistët shkodranë janë të vendosur për të bërë mirë deri në mbyllje të kampionatit. /Maringlen ZHIVANI/
U-21: Dinamo-Vllaznia 0-5
Golat: Ferizolli (aut) 12’, Shpuza 18’, Dulaj 45’, Maliqi 52’, Zahi 74’
Formacioni i Vllaznia U-21 (4-2-3-1): Shkoza (Bunjaj 59’), Xhilaj, Pusi (Bizi 46’), Paloka, Spahija, Dulaj, Peku, Maliqi (Zahi 56’), Pjeshka (Moleci 59’), Delaj, Shpuza (Troshani 56’) (në dispozicion: Shimaj, Jahaj, Bushaj) Tr: Elvis Plori
Arbitër: Emanuela Rusta