Vllaznia U-17 e trajnerit Gilman Lika ka marrë paraditen e sotme një fitore shumë të rëndësishme duke mposhtur Dinamon me rezultatin 2-1.
Ndeshja e vlefshme për kampionatin e Superiores së moshave U-17, është luajtur në fushën “Reshit Rusi” të Shkodrës dhe për nga ecuria e takimit duhet thënë që ka qenë një sfidë e bukur, pasi të dyja skuadrat kanë dhuruar spektakël në fushën e lojës.
Të parët kanë qenë kuqeblutë të cilët kanë kaluar në avantazh që në minutën e 7-të me golin e shënuar nga i zakonshmi Gerald Kubazi. Ndërkohë në fundin e pjesës së parë, Dinamo barazon shifrat në 1-1. Me këtë barazim, do të mbyllej pjesa e parë.
Ndërkohë që, 45-minutëshi i dytë është ëdhë më i bukur. Vllaznia nuk pajtohet me barazimin dhe ekipi i trajnerit Lika shton së tepërmi forcat sulmuese për të gjetur golin e avantazhit, të cilin e shënon në minutën e 82-të me protagonist futbollistin e talentuar shkodran, Aris Ara, që arrin të realizojë nga penalltia.
Rezultati shkon në 2-1 për Vllazninë, por miqtë nga kryeqyteti këmbëngulin fort për të gjetur golin e barazimit. Megjithatë, rrjetat e portave rrespektive nuk do të prekeshin më, duke u fiksuar rezultati përfundimtar 2-1 në favor të Vllaznisë.
Me këtë fitore të merituar, Vllaznia U-17 vijon të kryesojë kampionatin, duke qenë me dy pikë më shumë në tabelë sesa Teuta e vendit të dytë. Në këtë mënyrë, ekipi i 17-vjeçarëve kuqeblu, duke qenë edhe finalist i Kupës së Shqipërisë, është në luftë në dy fronte për të fituar dy trofe njëherësh në këtë sezon futbollistik. /Maringlen ZHIVANI/
U-17: Vllaznia-Dinamo 2-1
Golat për Vllaznia U-17: Kubazi 7’, Ara (pen) 82’
Formacioni i Vllaznia U-17: Lekaj, Marashi, Pepnikaj, Ars. Gërbeti, Sylja, Kubazi (Ivziku 89’), Hoxha (Hajdari 46’), Kapllanaj (Likaj 46’), Ara (Meta 89’), Çelepija, Guri (në dispoziçion: Arm. Gërbeti, Hotaj, Teli, Bushati, Kraja, Ymeraj, Spahija) Tr: Gilman Lika