Shkruar Nga Maringlen ZHIVANI
Flamurtari ka nisur të lëvizë në merkaton e verës. Pas emërimit të Oltijon Kërnajës në pankinë dhe të Fabjan Beqjas si drejtor sportiv, klubi vlonjat po punon për ndërtimin e skuadrës që do të synojë rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. “Shkodra Sport” ka mësuar ekskluzivisht se vlonjatët kanë arritur marrëveshjen me sulmuesin Mehdi Çoba.
26-vjeçari shkodran, i cili aktivizohet në të dy krahët e sulmit, pritet të jetë një nga afrimet e para të Flamurtarit në këtë merkato. Çoba vjen pas një sezoni në Superligën e Kosovës, ku e nisi kampionatin me Gjilanin dhe në merkaton e dimrit kaloi te Drenica.
Më herët ai ka qenë pjesë edhe e Vllaznisë, ndërsa në karrierën e tij ka spikatur për shpejtësinë dhe aftësinë për të luajtur në të dy krahët e repartit ofensiv. Sipas burimeve të “Shkodra Sport”, marrëveshja mes palëve është mbyllur dhe tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi, i cili pritet të vijë në ditët në vijim.
Me afrimin e Çobës, Flamurtari jep sinjalin e parë të qartë në merkato, teksa drejtuesit synojnë të ndërtojnë një skuadër konkurruese për të luftuar që në sezonin e ardhshëm për rikthimin në Superiore.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


