Vllaznia U17 për femra vijon serinë e fitoreve në kampionat. Mesditën e sotme ajo ka fituar me rezultatin e thellë 7-0 ndaj ekipit të Kinostudios në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Vajzat kuqeblu të drejtuara nga trajnerja Paula Jaku nuk kanë hasur në vështirësi ndaj këtij kundërshtari dhe gjithçka është zgjidhur që në pjesën e parë, gjatë së cilës ato shënuan 4 gola. Futbollistja Ecrin Ileri ka qenë autorja e 3 golave ndërsa goli tjetër i Vllaznia U17 në këtë pjesë u shënua nga Egla Hoxha.
Në pjesën e dytë epërsia ka ardhur duke u thelluar edhe më shumë dhe si rrjedhojë janë shënuar edhe tre gola të tjerë, dy prej të cilëve mbajnë firmën e futbollistes Megi Faslija dhe një u shënua nga Imelda Ara.
Përfundimisht 7-0 për Vllaznia U17 e cila kësisoj merr fitoren e tretë rradhazi dhe si rrjedhojë me pikë të plota-9, ajo kryeson renditjen duke qenë një nga pretendentet më të forta për t’u shpallur kampione edhe këtë sezon.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


